Grupi i shtatë vendeve me të industralizuara të botës (G-7) ra dakord të shtunën të mbështesë një normë minimale takse në rang botëror prej të paktën 15% ndaj korporatave shumëkombëshe. Vendimi synon t’i parandalojë këto kompani që të shmangin taksat dhe sigurojnë fitime të mëdha në vendet me taksa të ulta.
Takimi i ministrave të Financave të vendeve të G-7-s, që po zhvillohet në Londër, miratoi gjithashtu propozimin që kompanitë më të mëdha në botë, përfshirë gjigandët e teknologjisë me bazë në SHBA, të paguajnë taksa në vendet ku ata kanë shumë shitje, por pa patur fizikisht një zyrë aty.
Ministri britanik i Financave Rishi Sunak tha se marrëveshja do të “reformojë sistemin global të taksave për ta bërë atë të përshtatshëm për epokën dixhitale globale dhe është thelbësore për të siguruar drejtësi, në mënyrë që kompanitë e duhura, të paguajnë taksat e duhura, në vendet e duhura”.



