E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Frika kryesore e gjermanëve – Rënia ekonomike

Gjermanët janë të pakënaqur si kurrë më parë me qeverinë e koalicionit. Problemet akute për të cilat duhet të kujdeset qeveria janë ekonomia dhe imigrimi, thonë të anketuarit, sipas një sondazhi të ARD-së.

Në fund të pushimeve të verës, kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e koalicionit u takuan në Meseberg për të folur pa dorashka për problemet e grindjet brenda koalicionit, për stanjacionin, kërcënimin nga recesioni ekonomik dhe se çfarë mund të bëhet kundër kësaj gjendjeje pesimiste brenda ekonomisë gjermane. Temë tjetër ishte edhe performanca e qeverisë së koalicionit me debatet mes ministrave që e kanë dëmtuar imazhin e qeverisë. Më pak debate më shumë qeverisje, për këtë ranë dakord SPD, Të Gjelbrit e liberalët. Por a do të ndihmojë ky premtim?

Humbja e besimit tek qeveria

Gjermanët nuk kanë më shumë besim tek koalicioni qeverisës. Vetëm 19% e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizonit ARD, Deutschlandtrend të kryer nga instituti Infratest-Dimap. Për këtë sondazh u pyetën në fund të gushtit 1310 qytetarë me të drejtë vote. Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris partia liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.

Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Qeveria e koalicionit nuk ia ka dalë ende të rifitojë besimin, megjithëse është arritur gjysma e legjislaturës. Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e të anketuarve; nëse do të zgjidhej tani një parlament i ri koalicioni i socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, ai si edhe më parë nuk do të kishte më shumicën parlamentare.

Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29%, e ndjekur nga AfD me 22%. Partia e kancelarit, Scholz, SPD arrin vetëm 16%. Të Gjelbrit kanë rënë në 14%, dhe liberalët në 6%. E Majta me 4% nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri. Ajo që bie në sy është pakënaqësia e gjermanëve me kancelarin Scholz. Sipas këtij sondazhi mospreferenca ndaj tij arrin një rekord të ri negativ. Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman.

Olaf Scholz në tryezë ministrat e tij - Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman

Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman

Fokusi tek ekonomia

Në Meseberg kancelari gjerman vendosi me kabinetin e tij një plan 10-pikësh të fokusit tek ekonomia. Sipërmarrjet do të marrin lehtësime miliardëshe tatimore dhe do të reduktohet burokracia. Masat për rigjallërimin e ekonomisë i përgjigjen edhe shqetësimit kryesor të gjermanëve. Sipas sondazhit të ARD gjendja ekonomike vlerësohet më negativisht se herët e mëparshme. 73% e të anketuarve e shohin atë si jo të mirë ose të keqe. Vetëm tek përkrahësit e partisë Të Gjelbrit gjendja vlerësohet e mirë.

Ndërkohë gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike. Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve. Krahasuar me të kaluarën çështjet e koniunkturës dhe ekonomisë kanë fituar rëndësi më të madhe këto muajt e fundit.

Edhe tema e migracionit dhe refugjatëve shikohet me prioritet nga qytetarët gjermanë të anketuar, gati po aq e rëndësishme sa ekonomia. Kurse shqetësimi për luftën në Ukrainë ka humbur rëndësinë që e kishte më parë. Një temë tjetër e rëndësishme për qytetarët është edhe drejtësia sociale. Në Gjermani ka shqetësim në rritje për shpërndarjen e mirëqenies sociale. Tetë nga dhjetë të anketuar thonë, se në Gjermani nuk ka drejtësi sociale.

Për të mbështetur familjet, koalicioni qeveritar vendosi sigurimin bazë për fëmijët. 60% e qytetarëve e shohin këtë si hap pozitiv. Kurse në lidhje me subvencionimin e çmimit të energjisë për degët e ekonomisë me konsum të lartë energjie, qytetarët janë të rezervuar. Vetëm katër nga dhjetë të anketuar e mbështesin këtë ide. Shumë më tepër të anketuar, 72% mbështesin një kufizim më të lartë të çmimeve të qirave.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota