Shpresat për takimin Trump Juncker ishin jashtëzakonisht të ulëta. Por nga Uashingtoni njoftohet për një afrim në konfliktin tregtar transatlantik.
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker ranë dakord në takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë të zhvillojnë bisedime mbi heqjen e tarifave doganore mbi mallrat industriale. Për sa kohë që zhvillohen negociata, SHBA dhe BE nuk do të vendosnin tarifa të reja doganore, tha Juncker. Përveç kësaj, qëllimi është të flasim për harmonizimin e standardeve dhe të punojmë së bashku për të reformuar Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), tha Presidenti i Komisionit Evropian. Ai gjithashtu konfirmoi se Bashkimi Evropian dëshiron të importojë në të ardhmen më shumë sojë dhe gaz të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan tha: “Ne u takuam pikërisht këtu në Shtëpinë e Bardhë për të filluar një fazë të re në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, një periudhë miqësie të ngushtë dhe marrëdhëniesh të forta tregtare nga të cilat të dy do të fitojmë.”



