Një zyrtar amerikan tha të martën në një takim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se Uashingtoni do të marrë pjesë në një program për të shtuar testimet, diagnostikimet dhe vaksinat kundër koronavirusit, ndërkohë që u bashkohet përpjekjeve globale për t’iu përgjigjur pandemisë.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e mirëpriti njoftimin, i cili vjen pas konfirmimit muajin e kaluar se Uashingtoni nën Presidentin Joe Biden nuk do të largohet nga OBSH-ja. Ish Presidenti Donald Trump e kishte kritikuar agjencinë dhe kishte ndalur financimin e saj.
Colin L. McIff, zyrtar i lartë i departamentit amerikan të Shëndetësisë tha në një takim virtual se Shtetet e Bashkuara shprehin angazhimin për “multilateralizmin dhe kauzën e përbashkët për t’iu përgjigjur pandemisë dhe për të përmirësuar shëndetin publik global.”



