Ish-Kryeministri dhe lideri socialdemokrat Zoran Zaev paralajmëroi për herë të parë një koalicion parazgjedhor me parti shqiptare. Ai nuk saktësoi për cilat parti bëhet fjalë, por vetëm shtoi se tashmë LSDM-ja nuk është parti maqedonase, por shumetnike.
“Unë besoj se do të arrijmë që të bëjmë një koalicion parazgjedhor me parti shqiptare. Ne tashmë nuk jemi parti maqedonase, por parti shumetnike me trup votues dominant maqedonas. E gjithë kjo na jep një epërsi të jemi favoritë në këto zgjedhje, për shkak se kemi të drejtën e zgjedhjes”, tha Zaev.
Edhe Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nga ana tjetër tha se po bisedohet me të gjitha partitë edhe ato shqiptare për të arritur ndonjë koalicion të mundshëm.



