E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Vjosa Osmani shkarkohet nga funksionet në Lidhjen Demokratike të Kosovës

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës shkarkoi të shtunën mbrëma nga të gjitha funksionet partiake, zonjën Vjosa Osmani, që është nënkryetare e kësaj partie dhe njëherësh kryetare e parlamentit të Kosovës.

Vendimi pasoi propozimin e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, për të liruar nga detyra e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, Vjosa Osmanin dhe emërimin e Avdullah Hotit, aktualisht kryeministër aktual i Kosovës në pozitën e nënkryetarit të partisë.

Shkarkimi bë me votim nëpërmjet postës elektronike. Në një njoftim të Lidhjes Demokratike thuhet se “sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”.

Ndërkaq lidhur me propozimin që zoti Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, “nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Zonja Osmani duke reaguar ndaj vendimit tha se po përjashtohet e diferencohet për shkak të mbajtjes së fjalës.

“Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”.

Para votimit në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, zoti Mustafa ka numëruar disa nga veprimet e zonjës Osmani që bien ndesh me qëndrimet e partisë.

“Zonja Osmani votoi dhe bëri thirrje kundër mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ka kundërshtuar hapur koalicionin e Lidhjes Demokratike me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Alencën Kosova e Re dhe komuniteteve jo shumicë. Nuk e ka votuar kryeministrin Avdullah Hoti … dhe iku nga përgjegjësia për të drejtuar seancën e parlamentit në ditën kur është zgjedhur qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Lidhja Demokratike”, tha mes tjerash zoti Mustafa.

Deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në facebook, e cilësoi votimin si një vendim skandaloz.

”Votimi përmes emailit është një vendim mashtrues dhe frikacak si gjithmonë i disa njerëzve që s’kanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së . Këta se kanë problem edhe t’i manipulojnë rezultatet. Ekziston mundësia që rezultatet i këtij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj s’ka vlerë as juridike as obligativ për askënd. Ne dhe secili aktivist i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si një sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos merret konform rregullave demokratike”, shkroi ai.

Vjosa Osmani mban aktualisht postin e kryetares së Parlamentit të Kosovës. Ajo u zgjodh me 3 shkurt të këtij viti, ditën kur u miratua edhe qeveria e koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. Zonja Osmani ka kundërshtuar rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti më 25 mars me një mocion të Lidhjes Demokratike.

Zonja Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar ishte kandidate për postin e kryeministrit nga Lidhjes Demokratike dhe doli kandidatja e dytë më e votuar pas kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ajo kundërshtoi krijimin e qeverisë së re dhe vendimin e saj të 6 qershorit, për të hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota