Ditën e mërkurë, më 24 qer shor (2020), zyra e Prokurorit Special në Prishtinë për Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit njoftoi opinionin publik se ka ngritur një akuzë kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Po këtë ditë, zoti Thaçi ishte tashmë në udhëtim drejt Uashingtonit si kryesues i delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në bisedimet me Serbinë, që duhej të zhvilloheshin më 27 qershor, nën kujdestarinë e Shtëpisë së Bardhë. Sipas të gjitha paralajmërimeve, nuk do të ishte një seancë e radhës në dialogun tashmë rutinor dhe pothuaj shterp Prishtinë – Beograd. Presidenti Thaçi, natyrshëm, ndërpreu menjëherë udhëtimin për t’u kthyer në shtëpi. E kundërta do ta kishte vënë në një pozitë shumë të vështirë, joserioze për të personalisht dhe me pasoja për vetë rezultatin e bisedimeve. Ambasadori Grenell, me mandat nga Presidenti Trump për të nxitur dhe mirëpritur këto bisedime, shkroi sakaq në “Twitter” se e mirëkupton vendimin e Presidentit kosovar. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, edhe ai në udhëtim drejt Uashingtonit, njoftoi pak më vonë nëpërmjet rrjeteve sociale se ai gjithashtu kthehej mbrapsht. Në vlerësimin tim, do të kishte qenë më e udhës që ai të paraqitej në bisedime në orën e caktuar më 27 qershor. Do të ishte një konfirmim i besimit, që shteti i Kosovës do të ketë edhe në vazhdim në rolin e SHBA për zgjidhjen përfundimtare të nyjës KosovëSerbi. Asgjë më shumë. Për shkak të legjitimitetit të cenuar të delegacionit kosovar, substanca e problemeve nuk do të prekej dot gjatë këtij takimi. Por edhe kaq ka dobinë e vet. Shpresoja që Kryeministri Hoti, pavarësisht mungesës së përvojës, do ta mbante parasysh një element të tillë.
Juristët e shumtë nga Prishtina dhe Tirana, të cilët kanë folur deri tani, pajtohen në pikën se Prokurori Special nuk e kishte të drejtën ligjore për ta publikuar këtë lajm për sa kohë aktakuza nuk ishte pranuar nga Gjykata. Zyra e Prokurorit në fjalë, në njoftimin e rastit për shtyp, jep si arsye të këtij nxitimi përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për të penguar punën e Dhomës së Posaçme për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve kundër Njerëzimit në Kosovë. Kush e njeh ligjin, mbi të cilin u ngrit kjo Gjykatë në vitin 2015, e ka të vështirë ta besojë një argument të tillë. Përtej dëshirës së Hashim Thaçit, qoftë ky edhe President i Republikës, ky ligj me fuqi kushtetuese nuk le asnjë hapësirë obstruksioni nga faktorë brenda Kosovës kundër strukturave të kësaj Gjykate. Por edhe sikur fjala e Prokurorit të jetë plotësisht e vërtetë, përsëri nuk e përligj këtë që ndodhi. Rruga për të mbrojtur integritetin e drejtësisë nuk është shantazhi mbi të dyshuarit. Sepse unë, të them të drejtën, nuk e shoh ndryshe, përveç si shantazh të pastër. Por nuk e shoh se çfarë rezultati parimor pret prokurori në fjalë nga ky shantazh. Aq më tepër që aktakuza gjendet zyrtarisht prej dy muajsh në duart e gjyqtarit, i cili do të bëjë vlerësimin e saj dhe do të marrë vendimin për ta mbajtur apo për ta rrëzuar. Gjithsesi, sundimi i ligjit i jep këtij prokurori të tjera instrumente, pa ngjashmëri me shantazhin, por krejt të mjaftueshme për të përmbushur misionin e tij.
Unë po them gjëra të thjeshta, me pasoja lehtësisht të parashikueshme, të cilat janë në bisedat e shumicës së shqiptarëve qysh dje e që prokurori në fjalë me siguri që i ka ditur shumë mirë. Kjo, përtej shkeljeve ligjore nga ana e tij, për të cilat flasin juristët. Më duket se kështu përjashtohet çdo mundësi që publikimi i lajmit pikërisht më 24 qershor, vetëm tri ditë para samitit të shumëpritur Serbi–Kosovë në Uashington, të jetë një rastësi. Krijimi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit në Kosovë është në themel një projekt dhe vepër e diplomacisë së vendeve euroatlantike, pa të cilat ky vend nuk do të kishte çlirimin dhe as pavarësinë. Të gjithë e mbajmë mend me sa vështirësi u bind pesë vjet më parë Parlamenti i Kosovës për të votuar ligjin përkatës. Rrjedhimisht, kjo Gjykatë, përveç bërjes së natyrshme të drejtësisë, doemos që kishte edhe një qëllim të nënkuptuar politik, moral dhe diplomatik: qetësimin e krenarisë së lënduar të kombit serb, i cili kishte parë t’i dënoheshin nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi disa nga protagonistët kryesorë të historisë së vet, përfshirë ish-Presidentë e ish-Kryeministra. Bashkësia ndërkombëtare synonte t’i jepte kështu kombit serb provën e trajtimit të barabartë që u bënte të dyja palëve dje, ndërluftuese tashmë që ishte vendosur paqja. Përmendja e këtyre fakteve në këtë rast nuk është histori.



