E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Tahir Bezhani: Dje në fshatin Gri të Krasniqes – Tropojë, u varros Zeqir Lushaj

NGA TAHIR BEZHANI

Me 11 Nëntor 2021 në ora 13 00, në fshatin e lindjes Gri, të Krasniqes, Tropojë, u varros biri i nderuar i kësaj ane, gazetari, publicisti, poeti, shkrimtar e atdhetari i devotshëm i çështjes kombëtare, z. Zeqir Lushaj. Në varrimin e të ndjerit morën pjesë disa qindra qytetarë të rrethit të Tropojës dhe disa qyteteve të Shqipërisë, Kosovës, miq e shokë të shumtë të z. Zeqir Lushaj, të cilët me lot në sy e dhimbje të madhe, ia dhanë lamtumirën e fundit këtij doajeni të jetës dhe  kulturës sonë letrare e publicistke.

Zeqir Lushaj u varros në fshatin Gri të Krasniqes së Malësisë së Gjakovës me porosinë e tij, nga se vendlindja e tij e dashur Gria, ishte më e  dashur e madhështore se sa Amerika ku i kaloi afër njëzet vite jete e pune. Dëshiroi poeti t’i pushojë trupi në dheun qe e lindi dhe e rriti, dëshiroi që edhe në atë jetë të jetë pranë babait të tij, Sadik Selmanit zëmadh, i cili ishte i njohur në tërë Malësinë e Gjakovës për bujarinë, fisnikërinë e mençurinë nëpër breza. Aty, te Blini, te ai simbol i pritjeve bujare të udhëtarëve të lodhur nga largësitë, nga Lekbibaj, ku i priste buka e kripa dhe fjala e urtë e Sadik Selmanit.

Mu aty  deshi edhe Zeqir Lushaj që t’i pushojë trupi në përjetësi, rrethuar me bukuri të rralla të atyre Alpeve, nën hijet e gështenjave pambarim. Nuk është e rastit dëshira dhe amaneti i tij për t’u varrosur në fshatin e lindjes, Gri, kur e dimë se penda e mprehtë e poetit Zeqir Lushaj, kurrë nuk ka pushuar se shkruari për vendlindjen, Tropojën,  Valbonën, bjeshkët e bukura dhe gjithë atë hark Alpesh me bukuri mahnitëse, për ata njerëz që i deshi aq shumë. Gjeneratat do ia lexojnë veprat dhe do ia  vlerësojnë e shpërblejnë  gjithë punën e tij. Në këtë tubim mortor, pranë varrit të ndjerit Zeqir Lushaj, mori fjalën miku e shoku i pandashëm i jetës studentore e deri në ditët e sotme, z. Sabit Lleshi, i cili foli për jetën, punën dhe veprën e z. Zeqir Lushaj, si student, gazetar, pedagog, atdhetar, publicist e krijues i disa veprave poetike e jo vetëm.

Në biografinë e të ndjerit z. Zeqir Lushaj, vend të veçantë zë jeta plot përplasje  gjatë kohës së tranzicionit në Shqipëri, i cili qe i detyruar që të merrte rrugën e largët për në SHBA, si shumë të tjerë, për të mbijetuar krizave të thella në Shqipëri. Atje qëndroi me bashkëshorten Sabrien për afër njëzet vite, ku kthehet në atdheun e tij të dashur, Shqipëri, në Shëngjin, për të filluar jetën e re, ndërsa djali i vetëm, ishe vendosur në shtetin e Zvicrës, ku ndodhet edhe sot.

Dje, dita e enjte, e 11 Nëntorit 2021, do mbetet një nga ditët më të dhimbshme në kujtesën e shokëve e miqve të z. Zeqir Lushaj, të cilët ia dhanë lamtumirën e papritur, të hershme, këtij kolosi të kulturës sonë kombëtare. Me lot në sy vargohej kolona e njerëzve në drejtim të Bajram Currit, duke lënë prapa një varr, një dhimbje që nuk harrohet kurrë….

JETA ËSHTË E MBUSHUIR ME KONTRASTE TË THELLA….

Jeta gjithmonë  sjellë befasira, kontraste të papritura, të hidhura, të papërballueshme, të dashura e kështu me radhë. Kush do të më bindte me datën një tetor, se pas  një muaj e pak, do i shkoja në varrim mikut tim të dashur, poetit e njeriut emblematik të kohës sonë?!…. Kurrë nuk do e besoja! Por, jeta i ka këto të papritura, befasi që të provokojnë deri në shpirtë. Nuk do e harroj kurrë takimin e kësaj dite të një tetorit në  Shkukës të Gjakovës, kur erdhi me dr. Domenika Gjekmarkaj, (Kapllaj), bashkëshortin e saj, motrën e dy nipa nga Shëngjini. Pas një orë ndeje donim të ishim bashke edhe të nesërmen në Tropojë, Valbonë e kudo, por nuk ishte e mundur.

Në kujtimet e mia mbetën përgjithmonë të paharruara takimet që nga i parë deri te  i fundit, dita e një tetorit, foto që më përcjellin kujtimet e pasosura dhe respektin e pa harruar kurrë….

Njerëzve të mëdhenj e të dashur, ua kemi borxh kujtimin, mos harresën e përjetshme, sepse ata na obligojnë me veprën e tyre.

Pushofsh në Paqe miku im i shtrenjtë dhe i paharruar kurrë!…

Takimi i fundit me Zeqir Lushaj, motrën e tij dhe Dr. Domenika Gjekmarkaj, 1 tetor, 2021

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota