Qytetarët e Tetovës dhe rrethinave të saj protestuan kundër kazinove dhe pikave të basteve në qytet. Në Tetovë, në rrugën e “Ilindenit” dhe në bulevardin “Iliria” ka mesatarisht një të tillë çdo 45 metraShkak i protestës u bë hapja e një kazinoje përballë Universitetit të Tetovës. Protestuesit kërkuan që kazinotë, jo vetëm të mos jenë afër shkollave, por të dërgohen të paktën 3 kilometra jashtë qytetit.
Protesta u përkrah edhe nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ajo, edhe pse u kritikua nga masa për këtë fenomen që ndodh në Tetovë, është shprehur se përgjegjësia qëndron te Ministria e Financave dhe se komuna nuk ka asnjë kompetencë mbi organizimin e lojërave të fatit.
“Inspektoriatet tona nuk janë kompetente për të marrë vendim në këtë drejtim. Kërkesa jonë si komunë dhe si këshill komunal është që të jenë jo vetëm 100 metra nga objektet shkollore, por distanca e tyre nga të gjitha objektet e interesit publik të jetë 3 kilometra, e po ashtu komuna të ketë kompetencat e veta, sepse nuk është paraparë në asnjë moment”, tha Teuta Arifi, kryetarja e komunës së tetovës.



