E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Prishtina del me Platformë zyrtare për dialog me Serbinë

Prishtina zyrtare në platformën e saj për dialogun kërkon garanci paraprake të delegacionit serb se e ka autoritetin për njohjen e shtetit të Kosovës. Ky është kushti para uljes në tryezën e bisedimeve me Serbinë.

Presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës rritet – Pamje nga takimi mes ambasadorit amerikan, Philip Kosnet dhe kryeministrit Haradinaj, 13.02.2019

11 vjetori i shpalljes së pavarësisë e gjen Kosovën nën një presion të pashembullt ndërkombëtar që të ulet për dialog me Serbinë me synimin e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që do t’i jepte fund problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një tarifë 100% për prodhimet serbe e vendosur nga qeveria e Kosovës, siç thuhet si kundërpërgjigje “ndaj agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë kundër Kosovës”, ka bërë që procesi i  bisedimeve finale Kosovë-Serbi të mbetet në vendnumëro.

Kushti i Prishtinës

Prej disa ditësh grupi negociator i Kosovës punoi për hartimin e një platforme për bisedime, të cilën e ka finalizuar ndërkohë. Për këtë platformë janë pajtuar edhe tre udhëheqësit më të lartë të shtetit, Presidenti Thaçi, kryetari i kuvendit Veseli dhe kryeministri Haradinaj, por jo partitë opozitare. Prishtina zyrtare në platformën e saj ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”. Platforma e Prishtinës me 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”.

Dialogu me Serbinë ka ngecur, pamje nga takimi mes kryeministrit Haradinaj dhe Federcia Mogherinit

Pikat e platformës së dialogut

Parimi 1 i platformës, që u publikua  në Prishtinë thekson se “qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.

“Kushtetuta e Kosovës, e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisarit nuk është e hapur për negociim”, prandaj objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:

(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mos-intervenimit dhe mos-ndërhyrjes;

(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet të plotë me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;

(c) promovimin e respektimin nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente;

(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.

Në platformë më tej theksohet, se “çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Në fund të platformës thuhet se “Pёr Republikën e Kosovës marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotësimit të kushteve nё vijim a) që Serbia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi për marrëveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovë, dhe c) marrëveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.

Reagimi i opozitës

Partitë politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdimisht e kundërshtojnë ekipin ngociator të Kosovës, duke e cilësuar si një “delegacion jolegjitim”, siç thonë pa mbështetjen e shumicës. Ato kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pas kësaj, qeveria e re ta ketë legjitimitetin e dialogut me Serbinë.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në profilin e tij, thotë se “LDK, është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës”, duke shtuar se “hapja e dialogut për kufijtë, është vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të vendit. Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se dialogu për kufijtë është i ndaluar”, shkruan Mustafa. Ky reagim i LDK-së dhe kreut të saj është nxitur nga deklarimet e mëhershme të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se “në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe korrigjimi i kufijve mes dy vendeve”. Javën e kaluar gjatë një vizite në SHBA, presidenti Thaçi  tha se “një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.”

Serbia: Nuk ka dialog pa heqjen e taksës

Megjithë përpjekjet e Prishtinës zyrtare që të flasë me një zë për dialogun me Serbinë, kjo e fundit sipas Presidentit Aleksandër Vuçiq, “nuk rifillon dialog me Kosovën, përderisa Prishtina nuk e heq taksën  ndaj prodhimeve të Serbisë”. E heqjen e taksës po e kërkon edhe BE-ja dhe SHBA. Madje tre zyrtarë të lartë të administratës së SHBA-së, Matheë Palmer, zëvendës asistenti i Sekretarit të shtetit, Laura Cooper zëvendës assistentja e sekretarit të mbrojtjes, dhe zëvendës drejtori për çështje të Evropës në këshillin e sigurisë kombëtare, John Erath, dërguan një letër në Prishtinë ku shprehet shqetësimi i SHBA-së, që qeveria e Kosovës po e refuzon këshillën amerikane që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve”. Ndërsa, në fund të letrës thuhet shumë qartë se qëllimi i SHBA-së është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. “Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju”, thuhet fund të letrës dërguar në Prishtinë  të tre zyrtarëve të lartë të administratës së SHBA-së. ? ?Bekim Shehu. DW/

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota