Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!
Sonte ju drejtohem vetëm juve, sepse si deputetë i jemi drejtuar mjaftueshëm njëri tjetrit, e sonte për fat të keq edhe me fjalë që lëndojnë raportet tona, por mbi të gjitha, që lëndojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja!
Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, kam përgjegjësinë institucionale që t’ju drejtohem nga kjo foltore e nga ky Kuvend, ngase partia ime e përkrahur nga PAN-i, sot ka sjellë për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë suaj, qeverisë me besimin më të madh qytetar në 15 vjetët e fundit. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit, në një vend ku politikanët, me gjasë, nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan dhe Europa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë. Kjo është e pashembullt.
Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, ngase në çastin në të cilin unë po flas, Kosova dhe mbarë njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të mëdha në historinë e njerëzimit, atë të virusit “Covid 19”. Në këtë çast të trishtë për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtë me mosdurimin tonë politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë meskine për pushtet, edhe atëherë kur ai pushtet kërkon shërbëtorë sikur mantelbardhët tanë, që luftojnë për secilën jetë, për secilin njeri, për secilën fjalë.
Të dashur qytetarë të vendit tim!
Në këtë çast kur egoja jonë po na kërkon t’i përmbushim apetitet tona politike, mjekët tanë po përpiqen për shpëtimin e secilës jetë, të secilit njeri të prekur nga pandemia. Por, ne çfarë kemi vendosur? Kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore, duke ua larguar qeverinë kur kanë më së shumti nevojë për të; duke i demotivuar policët dhe dhjetëra mijëra shërbyes të tjerë të qytetarëve tanë, duke i ndëshkruar ata me një lehtësi të madhe. Ne sot do të duhej të diskutonim e merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë shërbimet dhe ofrimin e paisjeve mbrojtëse, do të duhej të diskutonim për masat mbrojtëse ndaj policëve në detyrë, do të duhej të diskutonim për ushqimet e domosdoshme, për furnizimet me barna, për masat mbrojtëse të punëtorëve në dyqane e në furra të bukës, do të duhej të diskutonim masat shtesë për rastet sociale dhe grupet më të rrezikuara nga koronavirusi, pensionistët. Gjatë kësaj periudhe, do të duhej të diskutonim për hallin e bizneseve që do falimentojnë nga mungesa e ushtrimit të veprimtarisë së tyre, dhe të diskutonim për masat e qeverisë për punëtoret e këtyre bizneseve që nuk po mund të shkojnë në punë. Shpallja e pandemisë dhe kufizimet e detyruara të veprimtarive ekonomike natyrisht që e rëndojnë gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë. Sikur pandemia globale nuk mjaftonte, sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet dhe një pandemi tjetër – ajo e dehumanizimit të shpirtit dhe e përçarjes. Prandaj, të nderuar qytetarë, ju do ta mbani në mend atë se çfarë do të ndodhë sot, sic do ta mbani në mend frikën nga virusi që po i rrezikon jetët tona.
Të dashur qytetarë!
Marrëveshja për bashkëqeverisje është kontratë, është besim, që duhet të respektohet nga të gjithë. Prandaj, veprimet e pamatura politike që sot po ndikojnë në vendime të dëmshme për vendin, në këtë kohë kur qytetarët po përballen me rrezikun për jetë a vdekje, unë asnjëhere nuk i pranoj e as nuk i arsyetoj. Këto veprime do ta përdhosin vullnetin qytetar për ndryshim; ta vrasin shpresën kur ata kishin më së shumti nevojë për të; t’i mbysim buzëqeshjet që ata i falën me aq ëmbëlsi në çdo tubim e në çdo takim që ne e kishim me qytetarët gjithandej Kosovës, besën e shpresën për besim, që ju qytetarë të dashur na e siguruat.
Por, të nderuar qytetarë, rënia e qeverisë nuk shënjon rënien e qëndresës suaj ndaj së keqes; Tek e fundit, asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë e pamundur; ne kemi rënë dhe jemi ngritur shumë herë, sepse jemi mbështetur fort në njëri-tjetrin. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur që ta mbroj secilin parim politik e secilën fjalë të dhënë para qytetarëve të vendit tim, dhe secilin parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime dhe mbi të cilin ne kemi ndërtuar kontratë me qytetarin në zgjedhjet e 6 tetorit.
Sikur ju, të nderuar qytetarë, kam besuar dhe besoj në vlerat që ju na i falët me aq besim në qindra tubimet e LDK-së gjithandej Kosovës, dhe në shpresën që e pamë pas 6 tetorit dhe pas krijimit të kësaj qeverie. Prandaj, kur i ndëgjoj disa që thonë që unë nuk shpreh qëndrim të LDK-së, mua thjeshtë jo vetëm që më kujtohen fytyrat e secilit në ato tubime, por më kujtohen po ashtu deklaratat e kryetarit të partisë sime të cilat unë edhe sonte po i respektoj. Po e citoj çfarë na thotë vetë në njërën nga këto deklarata kryetari i partisë time lidhur me partitë e tjera: “Jo, jo! Ata që e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin nuk mund ta luftojnë as njërën as tjetrën. Veç mund ta riorganizojnë për nevoja të veta. Ata që lidhin kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom, ata të aferës të pasaportave, ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiakë, ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës, ata që e katandisën paranë publike, ata… duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, brenda e jashtë. Jo të qeverisin me Kosovën”. E kishte fjalën për partitë e PAN-it, nëse dikush ka ndonjë dyshim. Ata, të nderuar qytetarë, janë po të njëjtit që janë përshkruar në këtë deklaratë publike të kryetarit të partisë sime. Ata nuk kanë ndryshuar, prandaj, as une nuk kam pse ndryshoj qëndrimin për ta.
Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar, dhe këtë madje e ka dëshmuar në këto pak ditë të qeverisjes. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të rëndë për qytetarët, sepse konsideroj se, duke e votuar mocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshimin e qeverisë që e kanë kërkuar.
Të nderuar qytetarë, e di që ju sot ndjeheni të lodhur dhe të fyer dhe të jeni të sigurt që kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, sot nga kjo foltore e nesër nga një dritare sado e vogël, dhe të jeni të sigurt që do ta gjej atë dritare, do të kërkoj të kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por e kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoriatit të LDK-së. Në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di se cila është kontrata që ne e lidhëm me qytetarët dhe ajo ka qenë: JO koalicion me partitë e PAN-in e PO luftimit të krimit dhe korrupsionit. Meqë kam mbajtur konsistencë në qëndrimet e mia, dhe për këtë qytetarët i kam dëshmitarë, unë jam kundër çdo marrëveshjeje me partitë e PAN-it dhe nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim. Në çdo lagje, fshat e qytet, në palestra e amfiteatro, kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin “BESO”, sepse vetë kam pasur bindje e besim te plotë, se do të angazhohemi për ndryshim të pushtetit dhe se partitë e PAN-it që e kanë shpenzuar edhe rezervën shtetërore, duke na sjell në pikë kritike e duke na rrezikuar mundësinë e menaxhimit të duhur të emergjencës shëndetësore, do t’i dërgojmë përfundimisht në opozitë. Natyrish që unë s’kam kaluar në parti tjetër, sepse asnjë qëndrim nuk e kam ndryshuar, asnjë të vetëm, as edhe një të vetëm. I kam mbajtur të njëjtat qëndrime para 6 tetorit, pas 6 tetorit, e edhe sot. Secilin qëndrim e kam mbrojtur dhe e mbrojë edhe sot, pavarësisht çmimit që duhet të paguhet. Unë kam qëndruar fuqishëm në parimet dhe platformën, të cilën e kam shpalosur para qytetarëve, në parimet strategjike të partisë që përfaqësoj.
Të dashur qytetarë,



