Vala e mërgimtarëve që është karakteristike gjatë verës i mbushi këmbimoret me deviza. Edhe tregtarët i fërkojnë duart nga rritja e konsumit që e shkaktojnë mërgimtarët që gjatë verës vijnë në vendlindje për t’i vizituar familjet. Blihen mobilie të reja, bëhen rinovime dhe shpenzohen për nevojat e përditshme. Por, përveç se gjatë verës, paratë që i dërgojnë mërgimtarët tonë te shumë familje në Maqedoni janë të ardhura kryesore për jetë gjatë gjithë vitit. Jozyrtarisht të dhënat tregojnë se mërgimtarët në Maqedoni në vit dërgojnë nga 800 milionë e deri në 1.5 miliardë euro. këto para shpenzohen për pagesa të llogarive dhe nevojat e përditshme të familjeve të tyre, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë investime. Ministri i Diasporës, Edmond Ademi për Alsat M thotë se paratë nga diaspora janë të rëndësishme për ekonominë në Maqedoni. Sipas llogarive të tija kjo shumë vitin e kaluar ka arritur në mbi 800 milionë euro. Këtu hyjnë paratë që janë dërguar në bazë të transferimeve të shpejta të parave që vitin e kaluar kanë qenë 400 milionë euro, si dhe paratë e gatshme që i sjellin mërgimtarët kur vijnë në shtëpi, ndërsa regjistrohen përmes punës së këmbimoreve e që vlerësohen në mbi 400 milionë euro. Kjo shumë sipas tij mund të jetë edhe më e madhe.
Gjatë gjithë periudhës prej pavarësisë e këndej hyrja e këtyre remitancave dhe fondeve, qoftë përmes transferimit të shpejtë të parave, bankave apo në formë të punës së këmbimoreve ose kesh gjithmonë kanë pasur efekt në ekonomi. Këto para janë në treg dhe po shpenzohen. Ky është një segment i rëndësishëm dhe që ka ndikim në jetën ekonomike të qytetarëve. Kuptohet këto fonde janë personale të qytetarëve tonë që jetojnë dhe punojnë në diasporë dhe u dërgohen familjeve të tyre këtu – deklaroi Edmond Ademi, ministër i Diasporës.
Por, përveç se dërgojnë para për familjet e tyre, si hap të ardhshëm për bashkëpunim më të madh me diasporën, ministri Ademi e theksoi strategjinë e re që për herë të parë është bërë në Maqedoni dhe që është në fazën finale.



