E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Ngrihet flamuri i NATO-s para selisë së qeverisë në Shkup

Autoritetet qeveritare maqedonase të martën ngritën përmes një ceremonie, flamurin e NATO-s para selisë së qeverisë në Shkup, në shenjë të anëtarësimit të pritshëm të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Kryeministri Zoran Zaev tha se anëtarësimi në NATO është zgjidhja më e mirë për vetë Maqedoninë e Veriut dhe për të gjithë rajonin, për qëndrueshmërinë dhe marrëdhiniet e mira në Ballkan. Ndërkohë, Shkupi po përgatitet për hyrjen në fuqi të emrit të ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

Flamuri i Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike u ngrit të marten para selisë së qeverisë në Shkup, përmes një ceremonie ku morën pjesë diplomatë e politikanë dhe personalitete të shquara të vendit. Flamurin, Kyeministit Zoran Zaev ia dorëzoi shefi i Zyrës së Natos në Shkup, Zoran Jankoviç dhe ky flamur do të qëndrojë tash e tutje në shtizë para qeverisë së bashku me flamurin shtetëror dhe atë të Bashkimit Evropian.

Autoritet në këtë mënyrë po bëjnë përgatitjet për ta vënë në fuqi Marrëveshjen e Prespës që i dha fund problemit pothuaj se tre dekadash me Greqinë fqinje lidhur me emrin Maqedoni. Tabela ku shkruhej Qeveria e Republikës së Maqedonisë është hequr dhe po pritet të vendoset tabela e re me emin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo duhet të bëhet në maqedonisht, shqip dhe anglisht, sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve, që hyri në fuqi para disa ditësh.

Kryeministri Zaev tha se po shkruhet një faqe e re e historisë me një të ardhme më të sigurtë. Me politikën paqedashëse do të dëshmohet se anëtarësimi në NATO është zgjidhja më e mirë për qëndrueshmërinë e vendit dhe për qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit, tha ai.

“Maqedonia e Veriut nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç marrëdhënieve të mira politike, kulturore dhe ekonomike. Ballkani nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç bashkëpunimit dhe zhvillimit. Ndërtimi i miqësisë mbetet përparësia jonë numër një në politikën e jashtme, që gjithmonë buron nga stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira brenda vendit”, tha zoti Zaev duke shtuar se “nuk ka vend për eufori. Na pret një punë serioze shumëvjeçare në zbatimin e reformave”.

Ai falënderoi në veçanti Kryeministrin e Republikës së Greqisë, “mikun tim”​, – siç tha – Alexis Tsipras për vizionin dhe guximin që të përcaktohemi fort për të gjetur një zgjidhje për një problem, sipas shumëkujt – të pazgjidhshëm!”. Ai e quajti Marrëveshjen e Prespës një zgjidhje e cila do të jetë shembull dhe nxitje për marrëveshje kompromisi midis fqinjëve në Ballkan.

“Kjo do ta fshijë kujtesën e keqe për Ballkanin që ende ekziston në vetëdijen e shumë evropianëve. Anëtarësimi në BE nuk është synimi ynë i fundit, por evropianizimi i vendit tonë që paraqet një proces shumë më të gjatë nga realizimi i anëtarësimit”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Në ceremoni nuk morën pjesë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së opozitare, as presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov. Nga zyra e këtij të fundit thanë se ftesa atij i kishte arritur pasi kishte përfunduar ceremonia. Por këtë e përgënjeshtruan zyrtarët qeveritarë.

Të martën Sllovenia e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Shkupit në NATO, të premten e kaluar e bëri Greqia, ndërsa të enjten pritet ta ratifikojë Kuvendi i Shqipërisë. Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i tridhjetë anëtar i Aleancës Veriatlantike të NATO-s, pasi Protokollin ta kenë ratifikuar parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare, një proces që mendohet se do të zgjasë një vit.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota