Presidenti Hashim Thaçi mbajti një konferencë shtypi vetëdemaskuese. Pas kësaj konference, nuk ka më vend për dyshim: vetë Thaçi është frymëzuesi dhe urdhëruesi i operacionit për arrestimin dhe dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq, fati i të cilëve është i paravendosur – ose plumb kokës, ose do të kalben në burgjet e Erdoganit.
Presidenti u përpoq të justifikojë këtë operacion, mbi bazën e dy “argumenteve”. Së pari, sipas tij, Agjensia Kosovare e Inteligjencës ka patur të dhëna që shtetasit turq ishin përfshirë në veprimtari kriminale që rrezikonin sigurinë kombëtare të Kosovës. Së dyti, këto të dhëna, në formë raporti, i ishin dorëzuar atij, sic e thekson, jo pa qëllim Thaçi, në prani edhe të ndërkombëtarëve.
Lidhur me këto deklarime zyrtare të Thaçit, lindin disa pyetje të natyrshme: Përse, tani që ka përfunduar operacioni, ai nuk e sqaron opinionin publik dhe median se në çfarë veprimtarie kriminale ishin përfshirë 6 shtetasit turq? A ishte “veprimtaria kriminale” e tyre, vërtet, e asaj shkalle dhe e atyre përmasave, sa që të rrezikojë sigurinë kombëtare të Kosovës? Nëse ishte e tillë, përse ditët e fundit, ata u pajisën me leje qendrimi në Kosovë? Ta zëmë se nuk mund të bëhej transparencë e plotë, për “shkak të sekretit shtetëror”, po, atëherë, përse 6 të arrestuarit nuk u lejuan të kalojnë procedurat e rregullta gjyqësore, siç e kërkon kushtetuta jonë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në mënyrë që jo arbitrariteti pushtetor, por drejtësia të vendoste për dëbimin, ose jo të tyre?



