Qeveria në Mal të Zi prezantoi projektligjin për prejardhjen e pasurisë. Nëse ligji kalon në parlament do të mundësojë edhe zbardhjen e rasteve të pasurive të paligjshme dhe korrupsionit nga e kaluara.
“Një ligj i tillë në vende të ndryshme quhet Ligj Antimafia”, theksoi zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, që koordinon sektorin e sigurisë, duke prezantuar projektligjin e qeverisë në Podgoricë. Sipas tij ky ligj “fuqishëm do të kontribuojë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Mal të Zi dhe do të mundësojë që t’i jepet fund pasurimit të paligjshëm të kriminelëve, funksionarëve dhe mafiozëve.”
“Nëse dikush nuk mund të arësyetojë prejardhjen e pasurisë, ajo do të kalojë në pronësi të shtetit”. “Për ne me rëndësi është prona, e ky ligj do të na mundësojë që të hulumtojmë rastet e njohura në Mal të Zi nga periudha e kaluar, që nuk kanë marrë epilogun e pritur nga prokuroria dhe publiku.”
Të papunë e me pasuri milionëshe
Nënkyetari i qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha poashtu, se ”dikur ka ndodhur që njerëzit të liroheshin nga aktakuza, por për të gjithë është se njohur se këto persona, nuk do të kishin shanse që të justifikonin pasuritë e tyre. Nuk kanë asnjë të ardhur të deklaruar, janë të papunë e kanë pasuri milionëshe, hotele, shtëpi luksoze, automjete disa dhjetra mijëra eurosh”. Abazoviq, më tej tha, se “do të duhet që të gjitha organet të japin ndihmën e tyre që ligji të jetësohet. Pres që në parlament ligji të përkrahet nga të gjithë deputetët”. Do të doja të shihja se cili nga deputetët nuk është i gatshëm që të përkrahë një ligj të tillë dhe për çfarë arësyeje. Besoj se të gjithë duhet të pajtohemi në luftën kundër korupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Abazoviq.




