
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johanes Hahn, qëndroi në Kosovë të enjten në mbrëmje (17.01), ku takoi kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa pas takimit nuk u prononcua për mediat. Johanes Hahn, pas largimit nga Prishtina në Twitter shkroi shkurt: “vizita e parë e vitit 2019 në rajon: Prishtina e bardhë. Pata një diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Haradinaj dhe ministrat. Po shikojmë mundësitë të punojmë ngushtë sivjet për të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që Kosova të mund të përparojë në rrugën e saj evropiane”, shkroi në Twitter Johanes Hahn, i cili nga Prishtina udhëtoi për në Tiranë për të takuar kryeministrin e qeverisë së Shqipërisë Edi Rama.
As kryeministri Ramush Haradinaj nga ana e tij nuk foli për mediat, ndërsa, në një postim të shkurtër në profilin e tij në facebook, ai shkroi se: “Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim, presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, shkroi kryeministri Haradinaj.
Kryeministri kosovar gjatë ditës tha, se ai mirëpret çdo këshillë nga Bashkimi Evropian, por sipas tij “qeveria e Kosovës nuk do ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, përderisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”.



