Shpërthimi i pandemisë së Covid-19 i kapi të papërgatitura shumë shtete, që iu drejtuan teknologjisë për të mundësuar takime të cilat s’mund t’i zhvillonin më si dikur në tryezë të përbashkët.
Kësisoj gjatë muajit mars nisi përdorimi masiv i aplikacionit “Zoom” që mundësoi video-konferenca nga më të ndryshmet, duke nisur nga kurset e Jogës, deri te takimet mes mësuesve dhe nxënësve, apo takime të kabineteve qeveritare.
Mjafton të përmendim këtu faktin që kompania me bazë në SHBA ka pasur vetëm gjatë muajit mars 200 milionë përdorues ditorë, përkundër 10 milionë që kishte në dhjetor, për të kuptuar rritjen e shpejtë të përdorimit të tij. Por gradualisht shumë vende nisën ta ndalonin përdorimin e “Zoom”-it për shkak të të metave që paraqet ai sa i takon sigurisë.



