Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq insiston se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrimin lidhur me çështjen e Kosovës, duke thënë se Amerika tash lë të hapur mundësinë të vazhdojë dialogu në mes Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për Kosovën.
“Kur them ndryshim, deri më tani qëndrimi [i SHBA] ishte se tashmë çdo gjë është e kryer. Por tani kjo ka ndryshuar me ardhjen e administratës së re. Nuk propozojnë zgjidhje, por lënë të hapur mundësinë që në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët dhe kjo fundja është e mjaftueshme që të hapen dyert për dialog”, ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd, pas takimit me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Siç raporton “Beta”, Daçiq përsëriti se Serbia nuk mund të njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, prandaj gjetja e një zgjidhje kompromisi do të jetë tema e të gjitha takimeve në të ardhmen.



