Nga: Tahir Bezhani
Vështrim libri
AZEM BALIAJ POET I DHIMBJES E DASHURISË NJERËZORE
E mërkurë, 18 nëntor 2026
Nga: Tahir Bezhani
Vështrim libri
AZEM BALIAJ POET I DHIMBJES E DASHURISË NJERËZORE
Azem Baliaj;”Papiruse dashurie”,poezi SHB. “Fishta” Lezhë.
Njeriu i letrave shqipe të kohës së sotme,z. Azem Baliaj,nuk është emër i panjohur për lexuesit gjithandej trojeve shqiptare. Jo për sasinë e veprave të botuara,sa për cilësinë e vargut poetik,thellësinë e ndjenjës shpirtërore ,që me aq mjeshtëri ,e thur tematiken poetike dhe ua përcjell gjeneratave, dashamirëve të artit letrar. Duke lexuar vargun e poetit Azem Baliaj, lexuesi jo vetëm se ndien një rrënqethje nga pesha shumë shtresore e vargut, por gjen një hapësirë, një gamë mendimesh që përplasen frymëzimeve të shpirtit poetik, në të gjitha kohët. Në këtë kuptim, edhe leximi i poezive të autorit të librit ”Papiruse dashurie”,mendoj se duhet bërë me një kujdes të veçantë, për ta “fituar” shumëkuptimësinë nga thellësia poetike e autorit.
Për ata krijues, miq e shokë të cilët e njohin poetin Azem Baliaj, prejardhjen, të kaluarën dhe të tashmen e tij, mirë e dinë se poeti ai, gjithë lëngun e mjaltuar poetik e skenik e ka nga vendlindja, nga Tropoja, çerdhe e poetëve me nam në letërsinë shqipe. Që në moshën e re, me rrokopatjet djaloshare, asaj lugine të Valbonës, atyre Alpeve me vlera botërore, ka “vjedhur” gjithë pasurinë e duhur për art letrar, i cili e dëshmoi para vendasve dhe opinionit brenda e jashtë vendit të tij, kudo. Karrerën e filloi në skena të hapura e të improvizuara si aktor, ku luajti shume role në drama,komedi e skeçe te ndryshme. Kurdoherë i mirëpritur dhe i respektuar nga publiku . Humori i mprehtë,i lëmuar me satirë,e ka bërë të dashur për dashamirët e artit skenik. `
Në librin më të ri me poezi,”Papiruse dashurie”,poeti Azem Baliaj, ani se jeton në Lezhë që shumë vite,në asnjë mënyrë nuk iu ka ç’kapur shpirti i tij nga vendlindja e dashur, Tropojë. Për këtë arsye,poeti u kushton(sot) vargje, mësuesve, shokëve e shoqeve të klasës, gjithë atyre me të cilët ka kaluar pjesën e jetës. Mbresë i ka lënë mësuesja, e cila ia ka mësuar germën e parë të gjuhës së nënës. Përkushtimet i burojnë nga një ndjenjë e thellë dhimbje e dashurie, duke përfytyruar secilin mik e shok, si dje si sot. Më vargje i drejtohet të ndjerës mësuese, Margarita Fishtës : “nesër,me shtatë mars/do vij te varri yt,/me një tufë lule/si në festen e Abetares/Do ta bëj pak zhurmë/dhe alfabetin e shqip/ do ta them përmendësh/ashtu si ti dëshiroje.”
Në vazhdën e përkushtimeve për më të dashurit e vet,me vargje brilante i drejtohet prindërve,motrës së vetme, nipave e djalit,Fisnikut,të cilët i gjejmë të mbështjellë me pëlhurën e mallit të tij të përjetshëm.
Në poezitë përkushtuese,për t’ia përsëritur meritën historike Malësisë së Gjakovës, nuk le anash pa e shprehur frymëzimin për derën e Sadik Selmanit të Grisë ,për bujarinë dhe fisnikërinë e tyre me traditë të përhershme. Poezia me titull”Blini i Grisë”,i drejtohet trashëgimtarit të kësaj familje,poetit Zeqir Lushaj. Ja pak rreshta të kësaj poezie: “Mikpritja në breza u përjetësua/”Kulla asht e Zotit dhe mikut”,/Blini i Grisë muzës time iu kujtua/sms,për birin fisnik të fisnikut.” Mendoj se kjo poezi ka një peshë të veçantë e gjithëpërfshirëse, në aspektin e traditës sonë kombëtare. Ka edhe poezi tjera me këtë përmbajtje
Poezitë përkushtuese, një frymëzim i veçantë meditativ….
Në librin me poezi “Papiruse dashurie” të poetit Azem Baliaj, gjejmë krijuesin e mendimit universal të jetës . Një lirik modern, i ndikuar krenarisht nga poetët e mëdhenj, si Fishta, Mjeda; nga Reshpja e Gjeta, nga Podrimja, Dini e Shkreli etj. Lirikat e rrjedhshme me rimën e përsosur, ndjeshmëria për njeriun, për atdheun, për çdo hall të jetës njerëzore, e bënë poetin të jetë pakës sa i veçantë nga të veçantët,më të dashur e atraktiv për lexuesit në përgjithësi.
Duke lexuar librin me poezi”Papiruse dashurie”,të autorit me një talent të rrallë krijues,z. Azem Baliaj,që nga faqja e parë e deri në mbarim gjejmë poezi kushtuar personaliteteve të jetës letrare nga të gjitha kohët,nga e gjithë gjeografia jonë shqiptare. Autori nga mendja e penda e tij e mprehtë,iu përkushtohet edhe figurave madhore në shumë fusha të jetës, si të arsimit, muzikës, artit filmik, të cilët kanë lanë gjurmët e vlera historike, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Të tillë ka shumë,cekim disa nga ta: Naim Frashëri, Gjergj Fishta,Havzi Nela, Ndoc Gjetja,Ali Podrimja,Azem Shkreli,Din Mehmeti,Dritëro Agolli, Bilall Xhaferi, At Zef Pllumbi, Rexho Mulliqi, rapsodit Dervish Shaqa, Fatime Sokoli, aktorit Bekim Fehmiu, Marie Logoreci, Sandër Prosi, e shumë e shumë të tjerë.Me këto lloj poezish përkushtuese, autori Azem Baliaj,mjeshtërisht ka shprehur gjithë respektin ndaj atyre figurave madhore të artit e kulturës sonë,të cilët në ditë e kohë të vështira,punuan pandërprerje për të frymëzuar masat e gjëra të popullit,me qëllimin e vetëm, të ecjes sonë me kohën,me popuj tjerë.
Me fjalë të zgjedhura nga thellësia shpirtërore, ka ngritur lart, në paharresë, madhështinë e tyre. Vjershërimi në këtë mënyrë i z. Baliaj, mendoj se është një thesar shpirtëror e njerëzor ndaj atyre që dhanë shumë për kombin tonë, pra një moralitet poetik i shprehur me shumë respekt. Jo vetëm kaq, poeti Baliaj, me gjuhën poetike, ka qëndisur bukur hartën e trojeve tona, duke gdhendur e bashkuar në një libër, figurat emblematike të kulturës sonë.
Në këtë përmbledhje me poezi,libri i katërt me radhë i autorit Azem Baliaj, gjejmë dhimbje,dashuri,mall të cilin e ka shkaktuar ndarja e trojeve tona për afër 60 vite. Gurët e ndarjes,kanë kallë zemrat e familjeve të një gjaku kohë të gjatë. Poeti, edhe në këtë aspekt,si tropojan i Malësisë së Gjakovës, të cilin nostalgjia nuk e ka lënë kurrë të qetë,pëlcet në vargje fuqishëm,”edhe në radhën e qumështit flisja me ty…”
Me zjarr malli të pashuar, autori hedh flakë nga shpirti përmes poezisë,”Pengu i babës”,duke kujtuar fjalët e tij dhe dhimbjen e madhe “mbarëkombëtare të copëtimit të hartës së moçme,në Londër me 1913…”
Në këtë poezi lexojmë vargje antologjike : “Në Çabrat,o bir,më thoshte baba,/shpirti të “bën”fotografi edhe në qëllofsh, larg qoftë, pa sy! Dhe ja,viti 2010,pas 63 vitesh, oh/shpirti mallshëm m’u lumturua/unë si baba dikur,/në Çabrat …tuj “fotografuar”! Të kësaj natyre me lot e mall janë një mori poezish, si ajo “Reportazh poetik”,për Din Mehmetin,”Korigjimi” për Ali Podrimën,”Në Gjakovë”,ku thotë ”Zoti ynë, përditë jam në Gjakovë!….” etj.
Marrë në tërësi,libri më i ri me poezi i z. Azem Baliaj,”Papiruse dashurie”,ka të gjitha komponentët ngritës të artit poetik,të poezisë shqipe në tërësi,nga vijnë porosi të forta universale,ideore e artistike.
Gjakovë,14 Nëntor,2018
Aktualitet
Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e GjermaniAktualitet
Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendërAktualitet
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në maleAktualitet
Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë EuroshAktualitet
Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026


