E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

U NDA NGA JETA ELMAZE BERISHA…

(Në foto: Elmaze Hazir Berisha dhe Sylejman Zeqir Berisha)

Dje, në ditë të xhuma, më 13 mars 2020, ka ndrrue jetë në Tiranë, Elmaze Hazir Berisha, bashkëshortja e vllaut tim Sylejman Zeqir Berisha, që edhe ky u nda nga jeta po në ditë të xhuma, me 13 shkurt 2020, çka e paska shkrue Zoti që të jenë të lindur për njëri-tjetrin, bestarë të pandarë e të përjetshëm të njëri-tjetrit në këtë botë e në tjetren, duke i dhanë një shembull të mirë kohës së vet e brezave të tyre, tre djemëve e katër vajzave të martuar e me plot fëmijë, të cilëve ua lanë rrugën të hapur, për të ndjekë traditat familjare, për të ecur kryelartë.

E ndjera Elmaze Hazir Mulosmanaj (Berisha) u lind në Fang të Bujanit të Tropojës (Malësi e Gjakovës) në derën e kullën e patriotit e pleqnarit të shquar Binak Alia (1805-1895) i Krasniqes e Malësive të Shqipërisë së Epërme, i Rillindjes Kombëtare Shqiptare – i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; ishte stërmbesa e tij, vajza e Hazir Syl Shabanit të Shaban Binakut  (1851-1910)- luftëtar e prijës aktiv e martir i kryengritjeve e luftërave kundërosmane e kundër sllavëve për Pavarësinë e Shqipërisë.

Elmaze Hazir Mulosmanaj (Berisha) është e bija e Hatë Mehmetes, mbesa e Mehmet Ali Bajraktarit (1878-1948)- bajraktari i Hasit, i pandalur e pakompromis në beteja e kryengritje kundër otomanëve për Pavarësinë e Shqipërisë, në luftra kundër serbo-malazezëve (1913-’15, 1918-’21), mik i afërt e bashkëpunëtor i përjetshëm i Bajram Currit si dhe i luftëtarëve prijës në Kosovë si Azem Galica e të tjerë.

Elmaze Mulosmanaj-Berisha qysh në moshë 6-vjeçare ishte një dëshmitare e vuajtjeve antinjerëzore e përndjekjeve politike të jashtëzakonshme në Kampin famëkeq të Tepelenës, e cila iku në Amshim me mallin e pashuar për babain e saj Hazir Syl Shabani (Mulosmanaj), se nuk mundi ta gjente kurrë varrin e tij, nuk mundi asnjëherë ta qajnë te varri e të çojnë një tufë me lule te varri i tij, po ata do të takohen tashma në Parajsë.

Elmaze Mulosmani-Berisha gjithnjë, në të gjitha ditët e vitet e jetës së saj, ndjehej krenare që kishte ardhë nuse në kullën e Isuf Rexhë Berishës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Halil Isuf Berishës- stërgjyshi dhe gjyshi i Sali Berishës; që thirrej edhe “e reja e Zeqir Halilit”;  bashkëshortja dinjitare e Sylejman Zeqir Halilit; ishte dhe kunata e si-nana ime, e cila la një emër shumë të mirë.

Elmaze Berisha ishte (siç e kanë quejt e thirrë) një “Nanëmadhe e Luftës së Kosovës” (1996-‘99), që mbajti gjithnjë sofrën të shtruar për komandantë e luftëtarë të UÇK-së të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, se kulla e tyre e Brishajve, e Sylejman Zeqirit me djemtë e tij, ishte e hapur në çdo kohë e situatë, ishte një nga bazat e rëndësishme të Luftës së fundit të Kosovës. Nga duart e saj, në sofrën e saj, në çantat e luftës kanë ngrënë bukë në ato vite: Heronjtë e Luftës së Kosovës, Ardian Krasniqi, Ilir Konashevci, Shkëlzen Haradinaj…, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, luftëtarë martir e të gjallë të UÇK-së,  si dhe gazetarë, diplomatë, ushtarakë etj.

Sot, ndoshta është koha e rasti të kujtojmë një dialog të Elmaze Berishës – një nga ato “Nanëmëdha të Luftës së Kosovës”, me Komandatin e pvadekshëm të UÇK-së, Ilir Konushevci – “Hero i Kosovës”: “Nanë Elmaze, ne nuk do ta marrim djalin tand, Gëzimin, në Luftë se është i ri”, por Ajo iu përgjigj: “Jo, nuk është i ri me e kap pushkën. Edhe ju jeni djemë nanash. Ia baj hallall gjinin që ia kam dhanë për Kosovën e Lirë”.

Sot, në këtë ditë të vështirë pandemike, në situatën paneuropiane e globale të krijuar, në pamundësi të vij nga Gjermania në Tiranë për të marrë pjesë në përcjelljen mortore për në banesën e fundit të kësaj zonje të nderuar të Kullës e Derës tonë të Berishajve, për të cilën kam vlerësime e respekt të përjetshëm, po i çoj këto fjalë si mesazh e homazh për të paharruaren tonë, Elmaze Hazir Mulosmanaj-Berisha. I koftë i lehtë Dheu i Tokës Shqiptare!

IBRAHIM BERISHA

Gjermani

Në foto Elmaze Berisha

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra