Tre shkencëtarë fituan Çmimin Nobel të këtij viti në fizikë të martën për përparimet në njohuritë për vrimat e zeza. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave tha se britaniku Roger Penrose do të marrë gjysmën e çmimit të këtij viti “për zbulimin se formimi i vrimave të zeza është një parashikues i fortë i teorisë së përgjithshme të relativitetit”.
Goran K. Hansson, sekretari i Përgjithshëm i Akademisë, tha se gjermani Reinhard Genzel dhe amerikania Andrea Ghez do të marrin gjysmën e dytë të çmimit “për zbulimin e një objekti kompakt supermasiv në qendër të galaktikës sonë”. Çmimet nderojnë “një nga objektet më misterioze të universit”, vrimat e zeza, të cilat janë bërë një element kryesor i fanta-shekencës dhe fakteve shkencore dhe ku koha madje duket sikur ndalet, thanë shkencëtarët e komitetit Nobel.
Penrose provoi përmes matematikës se formimi i vrimave të zeza ishte i mundur, bazuar kryesisht në teorinë e përgjithshme të relativitetit të Albert Ajnshtajnit. Genzel dhe Ghez studiuan qendrën e mbështjellë me pluhur qiellor të Rrugës së Qumështit, ku po ndodhte diçka e çuditshme, disa yje që lëviznin rreth diçkaje që nuk mund të shihej. Ishte një vrimë e zezë supermasive, 4 milionë herë më e madhe se masa e diellit tonë.



