E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Të sulmuar nga Mikrobota – Nga Qemal SAKAJEVA

Në këta muaj, kur Koronavirusi  i ka zbritur njerëzit me këmbë në tokë si asnjëherë,  i ka ngujuar në pa kohë dhe detyruar në  ngujim të pabesueshëm sikur të kishte ndalur vetë rrotullimi i Tokës, aqsa edhe shtete shumë të zhvilluara e të fuqishme  janë zënë në grackë sa nuk kanë mjaftueshëm as maska të thjeshta e doreza,  pra në këtë kohë kanali televiziv Euronews, në emisionin “Space” paraqiste  një makine të ndërlikuar për t’u dërguar në planetin Mars, e cila do të lëvizë në truallin marsian, do të çpojë me sondë në dy metra thellësi dhe materialin e marrë do ta fusë të analizohet në laboratorin brenda saj, pra e gjitha kjo si parathënie e synimit të njeriut për të kolonizuar s’dihet se kur Marsin.

Mendja shkoi menjëherë prapaktheu, në verën e vitit 1969, saktësisht më 20 korrik, gjysmë shekulli më parë. Asokohë, me Apollo 11 Lunar Module, astronautët amerikanë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin zbritën në Hënë, ndërsa astronauti Michael Collins i priste duke u rrotulluar në orbitën e saj, për t’i marrë dhe të tre të ktheheshin në Tokë.

Pikërisht atëherë në vjeshtë,  në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës në Tiranë, futej  në auditor një profesor pa shfaqjen hijerëndë  të pesonalitetit të njeriut të ditur, u ngjit në katedër  përkundruall studentëve dhe orën e biologjisë e shndërroi në leksion magjepës, edhe duke nxjerrë nga xhepi i xhaketës disa shkumësa të gjatë me ngjyra të ndryshme e bindeshe se nuk ishte vetëm një biolog i shkëlqyer, por dhe vizatues i talentuar me shkumësa në dërrasën e zezë të gjatë thuajse sa gjerësia e murit.

Ky ishte Robert Papajani.

Studentët dinin mbi lajmin e madh të Apollo 11 dhe netëve të errëta gjatë verës shpesh vështronin Hënën e afërt dhe yjësinë e pafund të trupave qiellor të mbështjellë me mister përtej saj. Mirëpo profesor Roberti, studentëve ua përqëndroi vëmendjen në një Gjithësi tjetër, duke u thënë si hyrje në biologji: Të dashur studentë, të gjithë habitemi kur shohim me sy të lirë gjithandej Makrobotën e dukshme, – Hënën, Diellin dhe yjësinë xixëlluese të pafund të Gjithësisë, mes tyre dhe Toka jonë, – por duhet të dini se ne jemi të rrethuar edhe nga Mikrobota e padukshme, ajo  nuk shihet me sy të lirë, dhe është po aq e pafundme sa Makrobota.

Më pas, informacioni për Makrobotën u shtua dhe, në morinë e lajmeve pa ndalim, shpesh e më shpesh zunë vend  tri frikëra të rrokshme prej kujtdo, edhe nga stërpërsëritja e tyre: lajmet e panumërta për UFO-t e jashtëtokësorëve që vizitojnë planetin tonë, mundësia e pushtimit  të njerëzimit nga Alienët dhe rreziku prej disa trupave qiellorë që herë pas herë i vërviten Tokës tangent gati në përplasje me shpejtësi të llahtarshme. Pikërisht në kulmin e këtyre rreziqeve të mëdha a të vogla, të vërteta a të hamendësuara, njerëzimi u sulmua dhe shtetet me armatime të gjithfarshme u gjunjëzuan sa hap e mbyll sytë nga një armik i padukshëm i ardhur jo prej Makrobotës, por nga Mikrobota: është COVID-19. Edhe shtetet më të fuqishme, me shkencë tejet të zhvilluar, u zunë në befasi , ose siç tha Bill Gate “SHBA-së i mungoi dritarja për të dalë para virusit”: njerëzimi u ngujua pa afat brenda shtëpive; edhe pse në tregjet e tyre  gjen gjithçka, – përveç nënës e babës siç thuhet, – ato s’kishin as mjetet më të thjeshta, pa vaksinën e duhur, dhe për t’u mbrojtur iu kthyen mjekësisë mesjetare: mbyllje në shtëpi, distancim shoqëror, larje e duarve me sapun, lidhje e maskës në fytyrë.

Njerëzimi  po pëson viktima të panumërta nga Mikrobota që nuk e shohim, ndërsa ende nuk dihet kur është fundi i këtij sulmi rrufe.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra