E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Studimi nga Universiteti i Harvardit: Ajri i zyrës po na bën budallenj!

Një studim i rëndësishëm duhet t’i bëjë gjithë kompanitë të rimendojnë zyrat e tyre

Të gjithë e përfytyrojmë zyrën si vendi i vetëm ku mund të jemi më produktivë në punë. Por nëse jetoni në një vend ku nivelet e ndotjes nuk janë nën kontroll (që është pothuajse kudo), nuk është për t’u habitur që cilësia e ajrit në zyrën tuaj të jetë edhe më e keqe se ajo jashtë, veçanërisht nëse nuk ka ventilim. Kjo sjell një sërë pasojash shëndetësore, veçanërisht në lidhje me sistemin e frymëmarrjes.

Një studim i ri nga Universiteti i Harvardit, zbuloi se ajri që thithim po na bën gjithnjë e më budallenj, në plot kuptimin e fjalës. Studimi tregon se ajri i ndotur në zyra, ngadalëson aftësinë për t’u përqendruar në një detyrë dhe për të shmangur shpërqendrimet në mjedisin ku punojmë.

Studiuesit vëzhguan me qindra punonjës zyrash: konkretisht 42 zyra në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Tajlandë, Kinë, Indi dhe Meksikë. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 33 vjeç.

Çdo punonjësi zyre në studim iu dha nga një sensor ajri, që mat dioksidin e karbonit dhe grimcat në ajër dhe sensorët u vendosën në tryezat e punës. Më pas, çdo punonjës u ngarkua me një sërë testesh njohëse gjatë një periudhe njëvjeçare.

Duke kombinuar të dhënat e marra nga sensorët individualë të ajrit dhe rezultatet nga testet njohëse, studiuesit zbuluan një lidhje të drejtpërdrejtë – sa më e lartë të ishte ndotja në mjedisin e punonjësve, aq më i ulët ishte rezultati në testet njohëse.

Ajri i zyrës ka një ndikim të menjëhershëm në funksionin tuaj njohës. “Ky nuk ishte një studim mbi ndërtesat e ndërtuara keq. Nuk shkuam të kërkojmë ndërtesat më të këqija në botë dhe të zbulojmë rezultatin se ndërtesat e këqija janë me të vërtetë të dëmshme për shëndetin” – thotë Joseph Allen, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard dhe autor i studimit Healthy Buildings: How Indoor Spaces Drive Performance and Productivity. “Këto janë ato që nga të gjithë konsiderohen ndërtesa të mira, nën kuadrin ekzistues se si i mendojmë ndërtesat tona”.
Sipas udhëheqësit të studimit, Jose Guillermo Cedeno Laurent, edhe nëse një punëtor është shumë i angazhuar në një detyrë, ajri i ndotur do ta ngadalësojë dukshëm punën e tij, në krahasim me dikë që punon në një mjedis me ajër më të pastër.

Ka një zgjidhje të mirë për këtë problem, por nuk është e lehtë për t’u zbatuar. Studimi thotë se cilësia e ajrit të brendshëm mund të “fiksohet” duke sjellë më shumë ajër nga jashtë, gjë që zvogëlon nivelet e dioksidit të karbonit brenda zyrës. Por zyra duhet të ketë të instaluar filtra të klasit të lartë MERV13. Ky është një sistem vlerësimi i përdorur për të përcaktuar se sa efektiv është një filtër grimcash në kryerjen e punës së tij – pra filtrimin e grimcave në ajër.

Sigurisht, është e kushtueshme të zëvendësosh filtrat ekzistues në një ndërtesë, dhe nuk është një detyrë e lehtë për menaxherët e ndërtesave. Një mënyrë tjetër për të zvogëluar rrezikun është duke u siguruar që zyrat të mos jenë të mbipopulluara sepse sa më shumë njerëz të ketë, aq më shumë dioksid karboni do të qarkullojë në ajër. / Fast Company

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra