E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

”Prosopopea” e Isuf Luzajt është njëherësh kujtesë, apel, dhimbje dhe klithmë

-Enver Memishaj rikthen poemën “Prosopopea” të Isuf Luzajt-

Nga Ibrahim Vasjari‎ – Ish deputet

Në kolonadën e veprave studimore të Enver Memishajt, botimi i poemës ‘’Prosopopea’’ të Isuf Luzajt, pajisur me referenca e shënime të hollësishme, analizuar me profesionalizëm dhe logjikë argumentuese bindëse, përbën pa dyshim një arritje të sukseshme për autorin.

Poema “Prosopopea” pasuron me prurje vlerash të reja kontributin e mirënjohur të Enver Memishajt në fushën studimore, brenda profilit të tij tashmë të kristalizuar në rivlerësimin e figurave dhe ‘’çminimin ideologjik’’ të historiografisë nga falsifikimi dhe deformimi i të vërtetave. Falë përkushtimit të tij studimor, u krye së fundi kthimi i kësaj ‘’vajze të humbur’’ në gjirin familjar të epikës tradicionale shqiptare.

I angazhuar në një krijimtari të gjerë e të larmishme në shumë fusha të dijes, ndofta edhe vetë Krijuesi Isuf Luzaj e la jashtë vëmendjes atërore këtë ‘’vajzë’’, pa e kuptuar se mozaikut të tij i mbeti mangët një gur i çmuar.

Por syrit hulumtues të Enver Memishajt nuk i shpëton gjë. Ai i gjurmon me këmbëngulje këta gurë rrëzëllitës, i qëmton me pasion nëpër arkiva e kujtesë brezash, i nxjerr nga jetimëria e i pastron nga ‘’baltosja’’, duke e bërë gjithnjë e më të plotë thesarin e vlerave kombëtare.

Me një strukturë të theshtë kompozicionale, por veshur artistikisht me figuracion të pasur, me një leksik të përzgjedhur në gurrën tipike labe dhe derdhur në metrikën e stilit klasik të vargëzimit, ‘’Prosopopea’’ e Isuf Luzajt është njëherësh kujtesë, apel, dhimbje dhe klithmë. Autori thërret shpirtrat e kombit për të thithur e shpërndarë frymën e tyre, në një moment të hallakatur udhëkryqi historik. Mushkërritë e kohës kishin nevojë për oksigjen rilindës.

Në përshtatje me natyrën e ‘’Prosopopeas’’, autori nxjerr nga bota e epikës sonë ‘’Mrizin’’ e legjendave të Mujit e Halilit për të mbledhur në kuvend një ‘’Senat të Epërm’’ korifejsh të kombit. Janë figura reale historike. Për t’u dhënë frymë të gjallëve, ata kapërcejnë kohën e braktisin vdekjen, rikthehen në përballje me sfidat tokësore. Diku i bren ndonjë merak a dert ende i patretur, por, të pamposhtur si dikur, përcjellin mesazhe optimiste, rrezatojnë hyjnisht energji mbijetese, forcë e besim në të ardhmen e ‘’jetëgjatës Shqipëri’’.

Në këtë poemë epiko-legjendare flasin yjet, gjëmojnë malet, harbon Lufta, ‘’digjet flakë era dhe reja’’, zgjohet e alarmuar nëntoka e fjetur. Kumti i mbitokës ngre në këmbë Plakun e Vlorës, ‘’se shqiptarin s’e mban varri kur është ditë e Shqipërisë’’.

Ndërsa Bilbilin e Frashërit ‘’nëpër ëndërr, nëpër gjumë, e thërret një zë si hije: Ngrehu, Naim se fjete shumë!’’. Të emocionon veçanërisht skena danteske me Dervishin e Salarisë (Selam Musamë).  Më thellë se plumbat, kryetrimin e Luftës së Vlorës e gërryen plaga e shpirtit, derti i vdekërimit pa varr, që e bën të endet përjetësisht në një kënetë.

‘’Prosopopea’’ himnizohen mjaft matirë të tjerë të kombit, idhtarë e luftëtarë të idealit kombëtar, nacionalistë të traditës rilindëse, miq e shokë armësh të autorit në ditë provash besnikërie e burrërie, si: Hysni Lepenica, Safet Butka e Neki Saliu. Së bashku me autorin, intelektualin e shquar shumëplanësh Isuf Luzaj, Kujtesa e kombit i ruan këta luftëtarë, dëshmorë e martirë nacionalistë të pastër e të pacënueshëm nga çdo ‘’baltosje ideologjike’’.

E, së fundi, një falënderim të veçantë meriton dora që tund djepin e këngëve të tilla të harruara, autori Enver Memishaj.

Me botimin e ‘’Prosopopeas’’, ai i kthen mozaikut të larmishëm letrar të Isuf Luzajt gurin e munguar, duke i bërë kështu një shërbim të vyer fondit epik të letërsisë sonë, teksa zgjon edhe kureshtjen intelektuale të publikut të gjerë lexues.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra