E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Presidenti Meta dekoron filologun dhe studiuesin e njohur Shefqet Hoxha me Titullin “Mjeshtër i Madh”: Të mbrojmë dhe promovojmë vlerat kulturore dhe shpirtërore të kombit

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, zotin Shefqet Hoxha me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojmë Profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.

Profesor Shefqeti është Doktor i  shkencave filologjike, Profesor i Associuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i Qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.

Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuara mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.

Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.

Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për Qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.

Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar.

Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë.

Duke i uruar shëndet e jetë të gjatë Profesorit të nderuar Shefqet Hoxha, i shpreh gjithë mirënjohjen time dhe i uroj punë të mbarë në vazhdim për të mirën e kulturës kombëtare dhe të albanologjisë”.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra