E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Plaka çame

Nga Sulejman MATO

“Ne jemi pjesa e gjallë e Zotit” – (Niko Kazanzaqi).

Kam kohë që mendoj t’ju tregoj nje histori që e kam ruajtur për një kohë të gjatë në memorje, eshte fjala per një nënë çame të cilës iu vranë tre fëmijë nga një bombë që ra në oborrin e shtëpisë së saj.
Ne atë çast nënën çame e la mendja për fare. Vetëm një pjesë e trurit i punonte sa për të nxjerrë një ulërimë të mbytur: Gëzo! Gëzoo..! Sikur ta dinte që djali i saj i vogël, i fshehur në furrën e bukës, i kishte shpëtuar kësaj mynxyre. Kur e pa tek nxirrte kokën nga furra, iu sul si klloçka që u sulet zogjve të vet.
Nëna Ganua, kishte lindur gjashtë fëmijë: vajzën e madhe e kishte martuar në Elbasan me një inxhinier mekanik, i parafundit i kishte vdekur qysh në lindje, tre të tjerët, siç ju tregova, i përpiu dheu brenda atij çasti të mallkuar, i gjashti për nga radha vinte Gëzimi.

* * *
Kur e çoi për herë të parë në shkollë, duke u kthyer për në shtëpi, nënë Ganua pa një fëmijë të vogël, tre- katër vjeç, shtrirë në mes të rrugës. Iu afrua, i përkëdheli flokët butë-butë dhe e pyeti ku i kishte prindërit. Vocërraku veç qante. Nuk mund ta linte në rrugë atë vocërrak të braktisur. E rroku në duar dhe e çoi në shtëpinë e vet.
Atë mbrëmje dy fëmijët luajtën së bashku gjer në orët e vona. Fjetën si dy vëllezër, në të njëjtin shtrat, njëri me flokëverdhë e sykaltër e tjetri i zeshkët e me flokë sterrë të zinj. Të nesërmen, kur prindërit e djalit trokitën te dera, ajo mori vesh gjithçka. Djalin e quanin Stalin. Ishte fëmija i shtatë i një familjeje tepër të varfër. Ata jetonin në një barakë prej llamarine, siç shumica e racës së tyre, të lënë pas dore nga shteti. Prindërit e Stalinit e njihnin nënë Ganon. Kush nuk e njihte plakën çame, lidhur kokën me një shami të bardhë, e shkurtër dhe e kërrusur, me fytyrën zhubra-zhubra. Prindërit e Stalinit, edhe pse pa asnjë të ardhur, fillimisht hezituan, por nuk mundën t’ia kthenin fjalën. Stalinit i pëlqeu shtëpia e re, dhe shoqëria me Gëzimin.
Gropa e madhe që u hap në oborr nga bomba u mbyll, ndërsa gropa e hapur në zemrën e Ganos qëndroi e e hapur edhe 32 vjet të tjerë. Të dielave paradite, kur ajo e ndalte vrapin te varrezat e qytetit, zëri i saj si një drithërimë ngjitej në qiell. Edhe pse mbytej në lot, kishte një shpresë; fëmijët e saj diku duhet te jetonin. Si ishte ai vend? A binte shi? A frynte erë? A kujdesej kush për fëmijët e saj?
Pas birësimit të Stalinit e ndjente veten te qete: “Fëmijë është, sevap bëj.. Kështu edhe Zoti kujdeset për fëmijët e mi”.

* * *

            Ditën e Bajramit të Madh më dërgoi nëna te Ganoja për t’i çuar një kile mish. Kalova

 oborrin dhe u futa në korridor. Nënë Ganoja ishte ulur në gjunjë në mes të kuzhinës, me kurriz nga dera. Nga pëshpëritjet e saj kuptova që ajo po bisedonte në intimitet me Zotin. Fjalët e saj, më tepër se një pendesë, ishin një lutje me ca fjalë të thjeshta. “Zot!O Zot i madh! Ti që na sheh çfarë bëjmë e që dëgjon çfarë themi, ti që na shpërblen nëse veprojmë mirë e na ndëshkon nëse nuk të bindemi.Askush veç teje, në tokë e në qiell, nuk e di të fshehtën e fëmijëve të mi. Pra, të lutem o Zot, më fal nëse të shqetësoj përsëri… Por syri më pikon lot dhe zemra më çahet nga dhembja, sa herë kujtoj pëllumbthat e mi. Janë të vegjël e pa njeri… O zot i madh… Kujdesu per ta…Se vet m’i more. Ti i di punët e tua… S’them gjë unë, e varfra. Që nga ajo ditë që m’i more sterrë më është bërë jeta. “Nënë Gano!- i thirra me zë të ulët. Nuk duhet të më kishte dëgjuar, pasi vazhdoi t’i lutej Zotit:    – Stalinin e mora dhe e bëra fëmijë për shpirt, që edhe ti të kujdesesh pak për Dallëndyshen, për Luton dhe Isanë…U korba…! Harrova Dritanin e nënës…”
Nënë Gano! – thirra unë me zë të lartë. Ktheu kokën dhe me pa qetësisht.

– Më dërgoi nëna, – i thashë duke i treguar napën që mbaja në dorë. – Të solla pak mish për Bajram.
-I kujt je ti?- më pyeti.
-I Vahidesë.
U kujtua dhe i ndritën sytë. Më kapi për mënge dhe nuk më la të ikja. Hapi dollapin dhe u ndie shumë keq kur pa që ia kishin përlarë karamelet.

* * *
Në mbrëmjet sarandjote, kur qytetarët shëtisnin ndanë detit, midis tyre vërtitej edhe nënë Ganua : “Gëzo! Staliin…!” – thërriste me zë të lartë, pa u shqetësuar prej kalimtarëve që e ndiqnin me kureshtje. Nuk shihte ku e hidhte këmbën.
Femijët e vet vraponin duke ndjekur njëri-tjetrin, si dy qenushë kur dalin në liri. Staliin…!.(ky emër e bënte të gajasej gjithë qytetin) Kishte frikë për pëllumbthat e saj, bardh e zi, mos i rrëshqitnin nga bordura e shëtitores dhe i binin në det. Çitjanet e bardha i fryheshin si kacekë. Ajo vetë dukej si një cung druri tek i cili ishin lidhur dy balona dyngjyrësh. “Gëzo…Mos shko nga deti!…Stalin! Më lodhe…! Qytetarët e dëgjonin qetësisht këtë refren çdo mbrëmje, gjersa një ditë Gëzimi mbaroi klasën e dytë fillore dhe Stalini u fut në klasë të parë. Të dhënë pas mësimeve dy vëllezërit bardh e zi nuk kishin më kohë të dilnin anës detit. Në muajin e parë të shkollës Stalinit ia ndërruan emrin, e quajtën Nini. Kur u rrit dhe ca u bë një fëmijë i shëndetshëm, gjithmonë i qeshur, i shoqërueshëm me shokët dhe mësuesit, veçanërisht me nënën e vet, Gano zezën.

* * *

        Vitet fluturonin. Mes gëzimeve dhe halleve plaka çame një ditë përcolli Gëzimin ushtar, dy vjet më vonë Nini mbaroi gjimnazin dhe u fut në punë, furnitor në fabrikën e pastave, që i kishte zyrat pranë shtëpisë. Me vajzën e madhe që kishte tre vjet pa parë, merrej vesh vetëm me letra. Në vitin e tretë të ushtrisë Gëzimi u njoh me një vajzë shkodrane, simpatike, të sjellshme dhe të edukuar. E quanin Gjylsana Lohja. Lohajt njiheshin në të gjithë Shkodrën për veprime bamirëse. Nëna e Gjylsanës shkonte çdo të shtunë te porta e shtëpisë vorfnore dhe merrte një ose dy syresh për t’i kaluar fundjavat së bashku me fëmijët e vet. Gëzimit i pëlqeu jo vetëm Gjylsana, por edhe kjo familje e madhe. Kështu qe, pas mbarimit të ushtrisë, nuk u kthye më në Sarandë. Gjeti një punë me pagë të mirë në mirëmbajtjen e linjave telefonike. Nini tetëmbëdhjetëvjeçar, ishte bërë një bulldog i lezetshëm, tetëdhjetëkilësh, gjithmonë i qeshur dhe i papërtuar në punë…Ai ia mbushte jetën me gëzim nënë Ganos.
Sa më tepër kalonin vitet, aq më tepër e merrte malli për tre fëmijët. “I deshi Zoti,-ngushëllonte veten,-ndryshe përse do m’i merrte?”. Vit pas viti, varrezat e qytetit mbusheshin me të ikurit e kësaj bote, vetëm nënë Ganon nuk e lajmëronte xhebrail Emini për t’u pergatitur për në rrugën e madhe. Ajo vazhdonte të shkonte çdo të diel në mëngjes në varreza. Një mëngjes nëna ime e kishte parë tek qante e lebetitej mbi varrin e tjetërkujt.

“Ganon e ka lënë mendja fare, -tha nëna . – Ishte ulur në gju dhe qante me ligje mbi varrin e hallës sime”.

* * *
Sa më shumë ulej në gjunjë dhe i lutej Zotit, aq më shumë i zgjatej jeta plakës së gjorë. Zoti i dëgjonte lutjet e saj, por zëri i saj përzihej me zërat e miliarda njerëzve të kësaj bote. Ndryshe s’ kishte se si… A mos vallë Zoti nuk e kuptonte të folurën e saj çamërishte me “kl” dhe “gl”?
Heshtjen e tij e arsyetonte me gjithfarë mënyrash. Do te ishte i zënë me punë të mëdha e nuk i shkonte mendja për femijet e saj. Po sikur t’i kishte kthyer një përgjigje e mendjelëna ne atë çast të mos e kishte pasur mendjen?
Nënë Ganua ishte rritur në një derë me besim fetar mysliman.Ajo nuk i njihte “Dhjetë urdhëresat e Biblës”, nder te cilat, dy më të rëndësishmet ishin : ta duash Zotin dhe të duash njeriun.
”Asgjë njerëzore nuk është e pafund, gjithçka është një hiç dhe dhembja jonë është brenda këtij hiçi”.

* * *
Nënë Ganua jetoi edhe 32 vjet të tjerë, një jetë si një ëndërr, një jetë pa kujtesë. Vdiq ditët e para të majit të vitit 1975, një muaj para dasmës së Ninit, i fejuar një vit më parë me një vajzë të bukur të racës së vet.
Në varreza e përcollën Nini me të fejuarën e tij, kryeplaku i lagjes, disa kushërinj të largët që i erdhën posaçërisht nga Markati, komshinjtë e saj, njerëzit e familjes natyrale të Ninit dhe nëna ime.
-Ishte e lodhur shumë e varfra, nuk kishte ç’të bënte më në këtë jetë, – tha nëna kur u kthye nga varrezat. Fëmijët e saj kishin kohë që e prisnin në botën tjetër. Dy muaj më parë më tha se i kishte dalë e ëma në ëndërr. I kishte hyrë te dera duke i folur me zë urdhërues: “Kam ardhur të të marr.” “Mirë do të bësh, – i kishte thënë ajo.- Ka shumë kohë që e pres këtë ditë… S’kam ç’të bëj më në këtë jetë?”

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra