Mustafa: Kosova duhet ta ketë Kopshtin Botanik dhe Zoologjik!
Intervistoi: Adem Lushaj
Bota sot: Profesor, cila është rëndësia e kopshtit botanik dhe zoologjik, për një vend?
E mërkurë, 18 nëntor 2026
Mustafa: Kosova duhet ta ketë Kopshtin Botanik dhe Zoologjik!
Intervistoi: Adem Lushaj
Bota sot: Profesor, cila është rëndësia e kopshtit botanik dhe zoologjik, për një vend?
Behxhet Mustafa: Kopshti botanik dhe zoologjik, janë institucione të shkencës, arsimit dhe edukimit, që shërbejnë për ruajtjen e koleksionit të bimëve dhe shtazëve të gjalla, ndërsa, detyra e tyre është, përparimi dhe zgjerimi i njohurive nga lëmi i botanikës dhe zoologjisë. Kopshti botanik dhe zoologjik, bëhen në sipërfaqe të vogla, ku në njërën anë të tyre, vendosen dhe ekspozohen, flora dhe fauna e atij vendi, dhe në anën tjetër prezantohen bimët dhe shtazët e viseve të ndryshme të botës, nga të cilat rinia, por, dhe të tjerët, mund të mësojnë shumë për botanikën dhe zoologjinë. Veçoritë e posaçme të këtyre kopshteve duhet të jenë, ekologjia dhe afërsia me natyrën.
Bota sot: Kosova me sa dihet është i vetmi shtet në Evropë, që nuk ka kopshtin botanik dhe zoologjik, si e shpjegoni këtë?
Behxhet Mustafa: Po është e vërtetë se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Evropë, që nuk ka kopshtin e vet botanik dhe zoologjik. Në metropolet botërore si pjesë e pandarë e tyre janë edhe kopshtet botanike dhe zoologjike. Kopshti botanik i parë në botë është ai në Padovë (1545), ndërsa gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX në qendrat universitare të Evropës, Amerikës dhe Azisë, u formuan numër i madh i kopshteve botanike dhe zoologjike, të cilat detyrë kryesore kishin, zhvillimin e shkencave biologjike si dhe, ngritjen arsimore dhe edukative. Rrethanat historike kanë qenë të tilla në Kosovë që vet regjimi i atëhershëm, por, edhe rrethanat e tjera si ato ekonomike, arsimore, kulturore etj, kanë bërë që, këto kopshte, mos të shihen si interes, çka kanë mbetur pa u ngritur.
Bota sot: Ku qëndron rëndësia e kopshtit botanik dhe zoologjik për qytetarët e Kosovës?
Behxhet Mustafa: Rëndësia e ngritjes së këtyre kopshteve në Prishtinë, do të ishte shumë e madhe, sepse, në sipërfaqe të vogël përveç llojeve floristike dhe faunistike endemike, të rralla dhe karakteristike të Kosovës, vendoset flora dhe fauna e viseve të ndryshme të botës, ku nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët e interesuar, qoftë si individ ose si grupe të organizuara të turistëve, kanë mundësi të njihen me të dhe ta mësojnë atë. Duhet ta dimë të gjithë se, ngritja e kopshtit botanik dhe zoologjik, në Prishtinë, ka rëndësi kombëtare, shkencore, arsimore, kulturore, turistike dhe me ngritjen e tyre, nxënësit dhe studentët kosovar, nuk kanë nevojë të shkojnë në kopshtet botanike dhe zoologjike të vendeve fqinje, për të plotësuar njohuritë e caktuara. Ngritja e këtyre kopshteve, do të ketë rëndësi praktike edhe për faktin se, në të do të ruhen llojet e rralla të florës dhe faunës sonë, shumë prej të cilave janë në rrezik të zhdukjes.
Bota sot: Cilat janë komponentët e kopshtit botanik dhe atij zoologjik?
Behxhet Mustafa: Komponentët bazë të kopshtit botanik dhe zoologjik, duhet të jenë parcelat e caktuar të hapura për bimë apo shtazë, kopshti qelqor, muzeu i natyrës dhe instituti i botanikës apo zoologjisë.
Bota sot: Cilat janë vështirësitë për krijimin e këtyre kopshteve dhe mbajtjes së tyre?
Behxhet Mustafa: Për krijimin e kopshtit botanik dhe zoologjik, duhet planifikim, organizim, profesionalizëm dhe mjete materiale. Ato duhet të ngritën sipas të gjitha standardeve që i kërkon një kopsht botanik dhe zoologjik i mirëfilltë. Përparësia është se, për ngritjen e tyre, nuk duhet hapësirë e madhe, ndërsa zgjedhja e lokacionit duhet të jetë adekuate dhe në përputhje me kërkesat që duhet për ngritjen e një kopshti botanik apo zoologjik. Tu kujtoj se, në planin urbanistik të Prishtinës të vitit 1978, të përgatitur nga ekipi i prirë nga arkitekti ynë i shquar prof. Bashkim Fehmiu, ishte caktuar lokacioni edhe për kopshtin botanik dhe për atë zoologjik. Për kopshtin botanik ishte caktuar hapësira në Veternik në anën jugore të spitalit, ku tash e tëra është betonizuar nga ndërtimet e pa planifikuara dhe lokacioni për kopshtin zoologjik ishte caktuar rrëzë Gërmisë, duke shkuar në të majtë, ku po ashtu nga ndërhyrjet e pa planifikuara të pas luftës, ka humbur kuptimin e atij destinacioni. Në planin zhvillimor të Komunës në zonën “Prishtina e Re”, thuhet se parashihen lokacione edhe për destinacione të tilla, por, mbetet të shihet si dhe kur do fillojnë së realizuari.
Bota sot: Sa është e kushtueshme ngritja dhe funksionimi i këtyre institucioneve, pra kopshtit botanik dhe zoologjik?
Behxhet Mustafa: Ngritja dhe funksionimi i këtyre kopshteve, pa dyshim që kushton mjaft, veçmas, kopshtit zoologjik, por, nëse menaxhohen si duhet, shembujt e shumë vendeve në rajon dhe Evropë, kanë treguar se nga këto kopshte, mund të gjenerohen mjete të mjaftueshme, për funksionimin e tyre të pavarur.
Bota sot: Kush duhet të jetë bartës dhe implementues i këtyre projekteve kaq të rëndësishme për vendin tonë?
Behxhet Mustafa: Përgatitjen e projekteve të tilla duhet ta bëjnë botanistët apo zoologët, ndërsa, bartës dhe implementuese, duhet të jenë MASHT, Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Prishtinës.
Aktualitet
Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e GjermaniAktualitet
Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendërAktualitet
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në maleAktualitet
Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë EuroshAktualitet
Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026


