Groenlanda dhe Antarktida kanë humbur së bashku rreth 11.300 miliardë tonë akull gjatë periudhës 1979–2023. Të dhënat vijnë nga një studim i gjerë ndërkombëtar, i mbështetur në vëzhgimet e 27 misioneve satelitore dhe i cilësuar si analiza më e plotë e realizuar deri tani për shtresat polare të akullit.
Sipas shkencëtarëve, shkrirja dhe shkëputja e këtyre masave të mëdha të akullit kanë ndikuar në rritjen e nivelit mesatar të deteve me rreth 3,14 centimetra. Kjo rritje mund të duket e vogël, por në shkallë planetare ajo shton ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në qytetet dhe zonat bregdetare.
Groenlanda, megjithëse është shumë më e vogël se Antarktida, përbën rreth 60 për qind të humbjes së përgjithshme të akullit. Shkencëtarët kanë konstatuar se procesi filloi të përshpejtohej gjatë viteve 1990 dhe u bë afërsisht katër herë më i madh në dekadën 2010–2019.




