E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

GENCI NIMANBEGU, NËNKRYETAR I KUVENDIT NË MALIN E ZI, NDEROHET ME ÇMIMIN E MADH “DARDANIA”

Nga Ramiz LUSHAJ

Pas “Takimit të Tiranës” (4 mars 2019) e ”Takimit të Gjakovës” (26 prill 2019), “Gazeta e Alpeve” organizoi edhe “Takimin në Plavë-Guci”, te Bar-restorant “Krojet” në Vuthaj, më 1 gusht 2019, ku merrnin pjesë gazetarë e publicistë, studiues, poetë e shkrimtarë, veprimtarë atdhetarë, politik e kulturor, personalitete të fushave të ndryshme shqiptare nga  Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku Shqiptar, nga diasporat shqiptare në Amerikë, Europë, etj.

Nderonin me mirëseardhjen e tyre ambasador Flamur Gashi–këshilltar për Rajonin e Diasporën i Presidentit të Shqipërisë; dr. Islam Lauka–ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, pedagog, analist, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike; Nikollë Camaj në Tuz–kryetar i LDSH, veprimtar politik, arsimor e kulturor i shqiptarëve në Malin e Zi; Ramiz Lushaj– kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” dhe drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë; Azgan Haklaj–Mjeshtër i Madh–President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar; Ali Daci–themelues e drejtues i Manifestimit Tradicional Letrar “Ora e Maleve” në Rrozhajë dhe zv/kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Sanxhakun; Zek Nokshiqi– zv/president i Qëndres Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas; Ismet Azizi-kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”; Skënder Thaçi–koordinatori kryesor i Shoqatës Bamirëse “Albania-Austria Partnerschaft”; Adem Lushaj– drejtor i Shoqatës të Intelektualëve të Pavarur në Deçan;  aktori e regjisori Gjon Nikolla – Mjeshtër i Madh, etj.

Fjalën Përshendetëse e mbajti Hasan Selimi, antar i Bordit Drejtues të “Gazeta e Alpeve”, publicist, poet, shkrimtar, studiues, teolog, “Ambasador i Paqes”, anëtar i akademive -ASHSHA të Neë Yorkut dhe AMSH në Tiranë.

Në këtë “Takim i Plavë-Gucisë” u ndanë dhe mirënjohje të ndryshme.

Me Çmimin e Madh “DARDANIA” u vlerësua z. Genci NIMANBEGU- Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, me këtëmotivacion: “Për angazhimet e arritjet me veprimtari të vazhdueshme e të shumanshme në pasqyrimin e ngritjen e çështjeve e problematikave shqiptare deri në institucionet më të larta shtetërore në Malin e Zi dhe ndihmesat për zgjidhjen e tyre; për kontributete mediatike me artikuj, intervista, komente, etj. për historinë, politikën, kulturën, aktualitete e ardhmëritë shqiptare në Malin e Zi si në Botimet Tropoja dhe gazeta, revista e televizione shqiptare e të huaja”.

Gazeta e Alpeve” me Cmimin e Madh “Dardania” ka nderuar dhe ambasador dr. Islam Lauka, diplomat karriere, analist, pedagog, antar Bordi i Gazetës (në Takimin e Gjakovës);z. Skënder Përpepaj nga Tropoja– drejtor i kësaj gazete, veprimtar atdhetar e kulturor, biznesmen humanist në Londër, sipërmarrës i nismave të veçanta e të rëndësishme (në Takimin e Tiranës).

Çmimi i Madh “Dardania” iu dorëzua nga ambasadori Flamur Gashi– Këshilltar për Rajonin e Diasporën i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Genci Nimanbegu u lind në vitin 1971 në qytetin e Ulqinit, ku kreu arsimimin deri në shkollën e mesme dhe studimet universitare për ekonomi në Dubrovnik të Kroacisë e nëPodgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi. Gjatë gjysmës së dytë tëvitit 1997 punoi si bashkëpunëtor i CEO i ndërmarrjes “Primus elektroniks” në Ulqin. Gjatë luftës në Kosovë e themeloi dhe drejtoi një organizatë humanitare “Drita”, e formuar në Ulqin me qëllimin për të siguruar kujdes dhe ndihmë për refugjatët nga Kosova. Ai ka punuar në Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (KB/ËFP) nga qershori 1999 deri në mbylljen e misionit në Mal të Zi në Mars 2004. Në Prill 2004, ai mori rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shoqatës së Biznesit Ulqin (UBA). Numri i anëtarëve të kësaj shoqate u rrit nga 60 vetë më 2004, në 280 vetë në vitet e fundit. Më 2005, me një grup intelektualësh dhe atdhetarë shqiptarë nga Ulqini, ai mori pjesë në krijimin e Partisë Shqiptare “Forca e Re Demokratike”,u zgjodh nënkryetar i saj. Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009 u zgjodh nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, dhe u rizgjodh edhe në paselektoriadat 2012 e 2016. Ai aktualisht është Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. I vetmi deputet shqiptar, nga partitë shqiptare në Malin e Zi. Ai është anëtar i Komisionit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor dhe i Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet;anëtar i Delegacionit të Përhershëm të Parlamentit të Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga Dhjetori 2016.Nëvitin 2013 u zgjodh President i Këshillit Kombëtar tëShqiptarëve në Mal të Zi, detyrë të cilën e kreu  deri në qershor 2018. Ky institucion kushtetues i Shqiptarëve në Malin e Zi u ngrit më 23 qershor 2008 mbi të drejtën që jep Kushtetuta nëMalin e Zi për pakicat në këtë shtet fqinjë me Shqipërinë. Genci Nimanbegu, përveç gjuhës amtare – Shqipe ka njohuri aktive të gjuhës së malazezëve (serbisht, kroatisht, boshnjakë), anglisht, italisht, frëngjishtes. Ai është i martuar me një piktorenakademike Vahida Nimanbegu. me të cilin kanë dy fëmijë, Lisa dhe Joni.

Në “Takimin e Plavë-Gucisë” te “Krojet” në Vuthaj, folën e sollën përshendetjet e tyre edhe atdhetari e veprimtari kulturor Besnik Paci i Derës e Trungut familjar të Gjergj Fishtës së Madh, i nderuar me Çmimin “Agim Ramadani”; Binak Ulaj i Vuthaje–veprimtari atdhetar, ish i burgosur politik i rregjimitjugosllav, gazetari i njohur në Prishtinë e Kosovë; veprimtari atdhetar e kulturor, publicisti Hilmi Gashi, veteran i Luftës së fundit të Kosovës; historiani Paulin Z. Zefi–drejtues i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Muzeu & Memoriali i Skënderbeut) në Bashkinë e Lezhës; veprimtari atdhetar, kulturor e humanitar Esad Gjonbalaj-ish president i FPG në Amerikë e drejtues i Portalit “Plava e Guçia Sot”, doktori i shkencave psikologjike e pedagogu universitar Jashar Demiri, etj.

Në “Takimin e Plavë-Gucisë” përshendeti me këngë për Gazeten e Alpeve Shqiptare, Plavë-Gucinë, Malësinë e Madhe e Mirditën edhe rapsodi i njohur Gjon Frroku nga Lezha, KeidaSelimi recitoi poezinë “Të lutem, qesh pak!” të gjyshit të sajpoet, Hasan Selimi, etj.

“Gazeta e Alpeve” është pjesë e “Botimet Tropoja” dhe e Portalit Kombëtar Limit.al, është gazetë rajonale ndërballkanike në hapësirat alpine në Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak, me tematika e shtrirje etno-historike-gjeografike përgjatë brigjeve të Valbonës, Drinit, Moraçës, Limit e Ibrit.

“Gazeta e Alpeve” do të organizojë një Takim tjetër në Tiranë, më 12 shtator 2019, në 1-vjetorin e themelimit të saj, të botimit të numrit të parë të saj.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra