Facebook planifikon të krijojë 10,000 vende pune në Bashkimin Evropian gjatë pesë viteve të ardhshme në përpjekje për të ndërtuar një botë dixhitale të njohur si “metaverse”. Gjigandi i mediave sociale tha se do të punësonte inxhinierë të kualifikuar nga vendet e bllokut ku i ka përqendruar përpjekjet për rekrutim në Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Poloni, Hollandë dhe Irlandë.
Drejtori ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg paraqiti vizionin e tij për një “metaverse” në Korrik. “Metaverse” është një term i përdorur për të përshkruar botët dixhitale në të cilat shumë njerëz mund të ndërveprojnë brenda një mjedisi 3D.
Kohët e fundit Facebook zbuloi atë që e quajti hapi i tij i parë: një aplikacion bashkëpunimi në punë ku njerëzit mbajnë takime në realitetin virtual. Një numër kompanish të tjera, përfshirë Microsoft, Roblox dhe Epic Games po investojnë shumë në versionet e tyre të “metaverse”.



