Pas ngazëllimit të një dite më parë, Anton P., skulptor, u kthye në studio të shihte edhe njëherë punën e tij të mbaruar – Nudo gruaje në këmbë. Ora po shkonte dhjetë dhe gjatë gjithë mëngjesit, pati menduar vetëm për gruan në skulpturë. E mendoi në mëngjes, ndërsa pinte kafenë në verandë, e solli në mendje gjatë kohës që rruhej, aq i rrëmbyer pas saj sa fytyra e gdhendur i shfaqej në pasqyrë, e imagjinoi kur po lahej në dush, aq sa pandehu se nuk po fërkonte me shkumë kofshët e tij të mpakura, por këmbët e bëshme të gruas së skulpturës.
“E përkryer”, tha me vete, duke e shqiptuar fjalën me zë.
Pesëdhjetë vite punë, pesëdhjetë vite gdhendje në mermer, më në fund ishin shpërblyer. Një kryevepër që do ta përjetësonte emrin e tij, krahas të pavdekshmëve. Edhe pse jeta e tij kishte qenë e suksesshme, skulpturat e tij, zbukuronin sheshet më të njohura të qyteteve të shtetit, prapë, gjithmonë e pati ditur, se atje, përtej fuqive të tij, fshiheshin punët e vërteta, ato të paarritshmet, që edhe në ëndërr shëmbëllenin të mjegullta, të paqarta; më shumë ndiheshin si prani se sa shfaqeshin si imazhe. Por më në fund Zoti e kishte shpërblyer për këmbënguljen dhe përpjekjet e shumë viteve; “Nudo gruaje në këmbë” gjendej aty, në studion e tij, e përkryer, e tjetërsojtë, si e zbritur nga qielli.
Hapi ngadalë derën e studios së tij duke rrotulluar me delikatesë çelësin në bravë, ashtu si një zonjë e shkuar në moshë hap kasafortën ku ruan gjerdanin me perla të çmuara të dhuruar në ditën e fejesës. “Nudo gruaje në këmbë” gjendej aty, e ndriçuar keq, nga drita që futej përmes perdeve të dritareve. Largoi perdet nga dritaret dhe në studion e mbushur me dritë, zgjodhi një pozicion, që të sodiste punën e tij, duke i qëndruar dhjetë hapa larg.
E mrekullueshme, shqiptoi me zë, pasi e kishte soditur të paktën dhjetë minuta. Si ka mundësi, si? pyeste veten i çuditur. Si mundet që një bllok mermeri i ftohtë, të shndërrohet në një grua që të vështron e përqendruar me ata sy të dhembshur e të ngrohtë, sikur kërkon të të mbajë pranë vetes përgjithmonë? Si mundet një copë shkëmbi i akullt të shndërrohet në një fytyrë kaq të ëmbël e të dashur? Si mundet që ajo buzëqeshje e fshehur nën lëkurë të derdhë mbi ty dritën hyjnore të një mirësie të pafund? Si mundet që ti ndien frymën e saj të të përplaset në fytyrë?
E këqyri skulpturën nga koka te këmbët, gjatë, këmbëngulshëm, me po atë magjepsje që pati këqyrur trupin e të dashurës lakuriq në shtratin e tij para dyzet vjetësh dhe ku, gjysmë i përhumbur, pati bërë një pyetje që nuk do ta harronte kurrë: “Zot, çfarë të mire kam bërë, që e solle këtë grua në shtratin tim?”
Seanca e adhurimit të skulpturës, duhet të ketë zgjatur shumë, sepse dielli qe fundosur në qiellin e perëndimit, kur skulptori Anton Plavra u pushtua nga një parandjenjë e ligë. “Nuk është e përkryer”, tha me vete, duke lëshuar krahët teposhtë. Diçka i mungon kësaj gruaje.” Po çfarë? pyeti veten i zhgënjyer, duke ndjerë një këputje në gjunj. U zhvendos disa hapa që ta shihte nga një kënd tjetër. Mungesa u bë edhe më e theksuar, nderej si një perde e errët midis tij dhe skulpturës. Iu afrua nga mbrapa dhe i vuri dorën në shpatull. Ftohtësia e mermerit i shkaktoi të ngjethura në kurriz. Lëkura iu puprrua. U largua nga statuja, i doli përballë, u shtri në dysheme dhe po e vështronte nga poshtë lart. Prapë e njëjta prani mungese e padëshifrueshme.
Zot, tha, duke u ngritur në këmbë, çfarë i mungon kësaj gruaje? Çfarë i mungon? E këqyri edhe njëherë duke e fragmentuar: i këqyri flokët, ballin, vetullat, sytë, veshët, faqet, hundën, buzët, mjekrën, qafën, krahët, gjoksin, barkun, kofshët, kërcinjtë, këmbët, shputat, gishtërinjtë… Gjithçka dukej e përkryer dhe prapë diçka i mungonte. E ndjente këtë mungesë të mallkuar që po e shpartallonte.
U largua nga studioja e tij i dëshpëruar për t’u kthyer aty prapë të nesërmen, të pasnesërmen, në të gjitha ditët e javës, të muajit. Dhe gjithnjë e strukur në mermer, gjendej po ajo prani mungese, që nuk shfaqej, nuk perceptohej, nuk bëhej e dallueshme, vetëm të ngjallte një parandjenjë të keqe. E kuptonte se sa kohë që nuk do ta dinte se çfarë i mungonte kësaj gruaje, nuk do të mund ta përfundonte kurrë veprën e tij. Një ditë mori një copë letër, shkroi mbi të “Punë e papërfunduar” dhe e ngjiti në barkun e skulpturës.
Letra e ngjitur mbi barkun e skulpturës tashmë është zverdhur, skulptori ka vdekur. Mungesa gjithashtu është bërë e përjetëshme.
Të fundit
Aktualitet
Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e GjermaniAktualitet
Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendërAktualitet
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në maleAktualitet
Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë EuroshAktualitet
Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026



