E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Bukuri Natyrore e Vlera Qytetarie Tropojë – Gjakovë

Për një pasqyrim realist

Nga mosnjohja shumëkush mendon se Tropoja është  “Prapa diellit” e majë malesh, por realiteti tregon ndryshe. Udhëtimi nga rruga e Kombit nuk është më shumë se 250 km, ndërsa nga Puka e Komani piktoresk kjo distancë shkurtohet ndjeshëm.

Lidhja me vendlindjen është si lidhja e Anteut me tokën. Sa herë e vizitojmë atë, gjenerojmë forca të reja e qetësi psikologjike. Peizazhi i mrekullueshëm është relaks e antistres, diçka romantike që të rinon.Kushdo që vjen e rivjen në vendlindje apo si vizitor, i zgjohen e lindin mbresa e ndjesi të reja, ndaj po përmend e  shtojkalimthi disa prej tyre, sepse kam shkruar edhe herë të tjera…

Luginat e Valbonës e lumit të Gashit, të Tropojës e Nikaj-Mërturit kanë një lartësi mesatare më pak se 250 m mbi nivelin e detit, me një mikroklimë shumë të përshtatshme për bujqësinë e veçanërisht për frutikulturën. Në oborrin e shtëpisë sime  në Shëngjergj të Nikaj-Mërturit, hurmat sa nuk po thyheshin nga prodhimi. Kurora e masiveve të pyjeve e brezit të gështenjave nga Geghyseni deri në Markgegaj, të falin kënaqësi shpirtërore e materiale. Si ngjyra ylberi përzier me re të murrme e gri ngjan gjelbërimi i këtij fillim nëntori. Pishat e bredhat deri majë kershave e majave tëpjalmuara nga bora e hershme, janë të bukura e madhështore, joshëse e kurative nëçdo stinë.

Ngado të vish e kudo të shkosh përballesh me befasi marramendëse: në brigjet e lumenjve e buzë liqeneve alpin e artificial, në bjeshkët e larta e vrrinin e ëmbël, në pllajat e ulëta e kreshtat e maleve, në burimet e bollshme e rudinat me bar, në Curraj Epër e në Valbonë, në Agër e në Doberdol, në Sylbicë e në Lugun e Thive, në grykëngushtën interesante e pak të vizituar Rrasa e Currajve-Mulaj ku përbirohet Lumi i Mërturit, në Lumin e Gashit e të Vranës, në Kakijë e në Shkëlzen, në Trokuz e në Ndërmaja, në sa e sa pasuri të shumta nën e mbi tokësore të Alpeve, përsëri të virgjëra, të pastudiuara mirë e të pashfrytëzuara me efektivitetin e duhur. Mund të shtosh e të numërosh me dhjetërae qindra; ato nuk kanë të sosur, pa harruar faunën e florën e shumëllojshmeme vlera të mëdha turistike e kurative.

Në fushat e pllajat në të dyja anët Valbonës, përsëri gjallojnëblloqet  me pemëtore disi të zvogëluara e bari i shtuar nga mospunimi i tokave, të përshtatshme për gjithfarë kulturash. Fondacione e shoqata, organet dhe organizmat shtetërorë po vijojnë të investojnë në rindërtimin e ndërtimin e kanaleve e ujësjellësvetë rinj. Një projekt gjerman do të jetësojë furnizimin me ujë pothuajse të gjitha fshatrave të kësaj lugine.

Janë dëshmi e ndryshimeve pozitive të realizuara me investitor privat e shtetëror, edhe vilat e bukura, qyteti me rrugë e lulishte të rindërtuara e disa rrugë makine të viteve të fundit (Sylbicë e Curraj Epër, Shkëlzen). Njëi huaj me siguri do të befasohej me këtë qetësi e qytetërim, përballë paragjykimeve për “barut” e  “shpellarë”, nganjëherë edhe keqdashëse.

Shumëështë shkruar e do të shkruhet për vlerat e kësaj treve, por asnjëherë ato nuk do të jenë të plota pa i parë e pa i shijuar nga afër. Lufta e egër politike i ka ulur tonet, i ka thirrur arsyes e konstruktivitetit duke ndërtuar ura komunikimi të ndërsjella. Në shumë aspekte ka një bashkëpunim e harmoni për interesa madhore të komunitetit në të gjitha fushat; ekonomike, politike, kulturore, shpirtërore, të besimet etj. Këto i pamë të konkretizuara në nivel zyrtar, në veprimtaritë e shoqatave, fondacioneve, komuniteteve fetare e shtresave shoqërore, pa mohuar edhe mangësitë e konceptet frenuese nga segmente të veçanta.

Pamëevenimente të përbashkëta, të pinë kafe e bëjnë vizita të ndërsjella për raste gëzimesh e hidhërimesh, mes demokratëve e socialistëve, zyrtarëve e qytetarëve me pikëpamje e besime të ndryshme duke respektuar praktikat e mendimet ndryshe.

Shembulli i drejtuesve e familjeve më në zë ka qenë e do të jetë një vlerë e shtuar e rrezatim i vyer për sot e për nesër, një pasuri për brezat.

Tropojanët në përgjithësi kanë shumë energji pozitive, janë krenar, impulsive, të drejtpërdrejtë e kurajozë, punëtorë e të palodhur që e duan zhvillimine përparimin, arsimin e kulturën, që luftojnë për drejtësi sociale të përsosur, deri diku të parealizuar e utopike e kjo i përball e i paragjykon kundrejt zhvillimeve zhgënjyese të shoqërisë.

Shembull përkushtimi e korrektësie

Kështu mund ta tipizoja me pak fjalë kushëririn tim “shoqërues” e sponsor të këtij udhëtimi.

Koloneli në pension Vuksan Vukaj është larguar nga vendlindja qysh në moshën 13 – 14 vjeç. Rreth viteve 1967 prindërit e tij vendosen në Kam të Bytyçit. Punuan pa u kursyer për shumë vite në atë minierë të shfrytëzuar qysh para Çlirimit. Iiati, Pjetër Sadiku, trupmadh e faqekuq, me forcë të madhe fizike e morale, ra në sy për cilësitë pozitive e si punëtor i fuqishëm i nëntokës për nxjerrjen e vagonëve grumbull me krom; kur ngecnin a dilnin nga shinat, thirrej ai si shpëtimtar….E shoqja Dila, punëtore në sipërfaqe, me trup të hajthëm e kockëfortë , shquhej për vitalitetin e vullnetin e hekurt, për bujari e humanizëm, për pastërti e mendje të kthjellët deri në momentet e fundit të jetës. Këta prindër lindën e rritën 6 fëmijë, 4 prej të cilëve mbaruan shkollën e lartë. Vuksani, me një temperament ku shkrihet sanguini me kolerikun, i ka kaluar të gjithë shkallët e shkollimit e të karrierës ushtarake. Mbaron me rezultate të larta Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, “Shkollën e Bashkuar të Oficerëve” e “Akademinë Ushtarake”. E fillon karrierën ushtarake në Sazan, siç i patën thënë për pak kohë. Shtatë vite të çuditshme e vështirësi të jashtëzakonshme në atë ishull misterioz e strategjik. Pa pikë mëdyshje krah tij edhe bashkëshortja Lula, mësuese me arsim pedagogjik, me kërkesa të larta ndaj vetvetes e nxënësve për rezultate sa më të larta. Aty lindën fëmijën e parë. Ndonëse menduan ta quanin Sazan, së fundmi i vunë emrin Dritan, i lindur më 1977.

Vuksani, i përkushtuar e i aftë profesionalisht e fizikisht, disi tip spartani e kurajoz, i hapur, i drejtë e kritik objektiv, por edhe reflektues,  tregon për peripecitë e jetës së gjatë ushtarake, për idealet pozitive e utopizmin komunist, të cilat nuk i mohoi as në luftën më të egër politike, për përplasjet e privacionet, për uljet e ngritjet në karrierë, por pa u dorëzuar as pranuar të dalë jashtë radhëve të ushtrisë. Puna e përkushtimi i garantoi mbijetesën e vazhdimësinë, edhe kur përballja ishte e egër. Një gjysmë shekulli shkollë e karrierë ushtarake, nga komandant toge e deri komandant brigade, nga kadet deri në gradën e kolonelit, me merakun e “akuzat” për mohimin e gradës gjeneral. Edhe pas daljes në lirim, me të njëjtin vullnet e përkushtim ka vazhduar veprimtarinë në sektorin privat, por me natyrën e ushtarakut të karrierës. Vuksani është kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Shkodër, me një veprimtari të shquar për njohjen e promovimin e vlerave dhe edukimin patriotik. Largësia e detyra korrekte e ushtarakut, për shumë vite ia kanë privuar disi vendlindjen, por jo dashurinë, ndaj çdo ditë e më shumë i shton vizitat. Kjo vizita e fundit përveç motivit së “Përkujtimit të të vdekurve” pati edhe dëshirën për të bërë vizita në Bajram Curri e Gjakovë, për të takuar shumë shok e miq të para viteve 90, por edhe të tjerë si rezultat i një biznesi të krijuar gjatë tranzicionit.

Shkulëm piramida e ngulëm trarë

Tropoja është quajtur edhe Malësia e Gjakovës. Lidhjet shpirtërore  kanë qënë  historike, të fuqishme e të pazgjidhshme. Ai mur i hekurt famëkeq shekullor, megjithë traumat tragjike që shkaktoi, nuk arriti t’i shkëpusë  lidhjet tona, por më shumë i fuqizoi ato. Sa herë kalojmë atë Tra ndarës  drithërohemi e pyesim veten. Prapë ky kufi mes vëllezërish??!!  Prapë këta “dreq politikajsh” nuk i shkulën këta çibanë kanceroz në trupin e kombit ??!! Shkon vëllai te vëllai në raste gëzimi a hidhërimi, për nevoja shëndetësore a familjare, për turizëm a biznes të vogël, për shkollim e veprimtari social-kulturore e nuk të ndahen kontrollet, dokumentet, pyetjet, hetimet e dyshimet, reminishencë e represionit serb. Kur i Zoti i shtëpisë e përzuri djallin, ky i fundit iu lut që  t’i lënë  një gozhdë për të varur trastën sa herë ta sjellë rruga. Shumë gozhda kanë mbetur të ngulura si çibanë në palcën e këtij kombi. Bashkimi e mjekimi i kujdesshëm mund të na shpëtojë nga kjo e keqe e madhe.

Gjakova me rrethinat e saj ka qenë e mbetet tunduese për çdo vizitor: qyteti interesant me arkitekturë tradicionale e bashkëkohore , me asete të vyera e vlera edukative, me veprimtari të pasura letrare, kulturor-artistike e sportive. Shumë evenimente të rëndësishme, të cilat është e pamundur t’i përmendim, janë organizuar në bashkërendim me Tropojën zyrtare e tropojanët e ato kanë qënë një pasuri me vlera të mëdha.

Fushat e gjëra pjellore e malet rreth e rrotull,  të pacenuara nga sopatat e motosharrat vrastare, ia shtojnë shumë bukurinë, pa harruar bjeshkët  me nam e qendrat turistike.

Ëndrra e shumëpritur për t’u lidhur me rrugë e  autostrada të nivelit evropian me Pejën, Prishtinën e Prizrenin, ka filluar të jetësohet e të gëzojë zemrat e çdo qytetari vendas e të huaj.

Mikpritje e qytetari në shtëpinë e Ramiz Morinës

Kafen e parë, në ditën e dytë, e pimë në një lokal jo larg hotelit karakteristik të Pashtrikut. Na ka ftuar Ramiz Morina, një shok i hershëm i Vuksanit. Kur menduam se atij takimi të këndshëm do t’i vinim kapak, ne paskeshim gabuar. Ramizi me këmbëngulje na ftoi për një kafjall (mëngjes) në shtëpinë e tij. Kundërshtimet tona nuk patën dobi. Megjithëse u nisëm për një kafe, tavolina u shtrua me meze e me raki. Një fjalë popullore thotë: “ Mysafiri sheh gjithçka, por është edhe “bereqet”. E para është e vërtetë, por edhe e dyta për bujarin është po aq e vërtetë.  Me siguri mendoi ndryshe një kurnac i kamur, por në zemër i varfër, që na ftoi për kafe e as tentoi formalisht për të paguar.

…Para se të hynim në banesën e të zotit të shtëpisë, vizitën e parë e bëmë në punishten e rakisë. E blente rrushin e piqte raki, po një raki si i thonë fjalës ”me ngjallë të vdekurin”.

Pyetëm e i  pamë një për një ato mjete e orendi të shumta, me kushte të favorshme për të punuar në cdo orë të ditës, edhe një njeri pa shumë njohuri për këtë mjeshtri.

Shkëmbyem mendime e krahasuam përvojat e traditat. Në oborrin e sipërm, ku ishte hyrja kryesore, na pritën e uruan mirëseardhjen me çiltërsi e bujari Fitnetja e Miranda (nënë e bijë).

Qysh në oborr, si të ishim shumë të afërt a farefis, bëmë fotografi e filluam bisedat. Mes ofertës për në dhomën e pritjes a në kuzhinë, ne na pëlqeu zjarri bubulak e temperatura e përshtatshme. Mikpritje e ngrohtë, e sinqertë e vëllazërore, pa paragjykime e fanatizëm, civilizuese e qytetare, e traditës e bashkëkohore…Po shikoja një realitet krejt ndryshe krahasuar me thashethemet a të vërtetat e tabutë e paprekshme të së kaluarës.  E ndjenim veten shumë mirë në atë familje të Mahallës Gercar të Qabratit historik të Gjakovës, e shquar për mikpritje e qëndresë  heroike kundër çdo okupatori. Shpesh herë përpiqem të rri me kujdes për të mos lënduar ndokënd në ndjenjat e sferën e besimit, të riteve, të mendimit politik, të sjelljes a fushë tjetër, por e ndjej veten mirë e harlisem me argumente e fakte në biseda e debate, kur bashkëbiseduesit janë të hapur,  pa komplekse e paragjykime ekstreme. Në këtë shtëpi u ndjemë komod e të relaksuar. Na ngrohu ajo pritje bujare e civilizuese, bisedat e mendimet e sinqerta mes mysafirëve , të zotit e zonjave të shtëpisë, mes dy besimeve me pak ndryshime e shumë  pika takimi.

Dëgjojmë të thuhet “pritje e mirë, muhabet i mirë, raki e meze të mira etj. Por sot të gjitha ishin në masën “shumë mirë “. Nuk pashë fanatizëm e paragjykime tek ato femra as në veshje, as në sjellje. Diskutonin e debatonin lirshëm e me kulturë pa ndjerë censurë as tutelë nga i zoti i shtëpisë, mysafiret. Fitnetja, e shoqja e Ramizit, e lindur dhe e rritur në Prishtinë, pohon se të partë e saj e kanë prejardhjen nga viset shqiptare brenda kufijve administrative të Serbisë. Nënë e bijë shquheshin për shije në rregullimin e dhomave, për pastërti shembullore, si kuzhiniere e specialist në përgatitjen e zaireve, diskutonin me qytetari për zhvillimet shoqërore, për emancipimin e fanatizmin otoman që i ka ikur koha.

Për Ramizin fillimisht u befasova, apo e pashë si me dyshim formimin e tij të admirueshëm, si njohës i mirë i zhvillimeve brenda e jashtë vendit, i sjelljes e mendësive të shtresave shoqërore. Qysh në vitin 1972 hynte e dilte në Shqipëri me kamionin “Man” 30 tonësh për çimento, llamba elektrike e qelqurina në Elbasan, Vlorë e Fushë-Krujë, por edhe anë e kand Jugosllavisë. Siç më shpjegoi, moto e  familjes ka qenë e do të jetë: Dashuria për Atdheun e për punën. “Të tillë jam mundue me i edukue edhe fëmijët, kudo të shkojnë e kudo të punojnë,  Kosovën e Shqipërinë mos me i harrue”. Don Zoti e të gjithë i ka shëndosh e mirë. Miranda e Miradia familjarisht punojnë në Prishtinë , prej shumë vitesh Emira në Gjermani e Xyla në Suedi. Shpati jeton e punon në Gjakovë, me dashuri të madhe për prindërit, për punën e për Kosovën, shembull pozitiv në shoqëri.  Edhe pse nuk e takuam i uruam fejesë e martesë të shpejtë. Pritshmëritë tona u tejkaluan; Vuksanin, si mik më i vjetër, e lidhën në Skype me vajzat e me dhëndrit, madje e ftuan edhe për vizita.

Pa ditë nga vjen, nuk di ku shkon

Akoma pa u ngritë nga tavolina, nëpërmes një telefonate Mustafë Brahim Aliaj na fton për një kafe tek lokali “Arra”. Me ndihmën e Ramizit e falë internetit gjejmë  adresën e lokalit e ngjitur me të një Arrë e madhe me degë goshajka ( kurorë).  Pa u ulur mirë, një djalosh pak si buçko, i zhdërvjelltë e fytyrëqeshur, me nxitim na jep dorën duke na përqafuar e rrahur shpatullat; i përmalluar e pothuajse i përlotur, sikur shihte vëllezërit kurbetçinj  pas shumë vitesh. Kaq të mbushur me dashuri e kishte zemrën, sa fliste pa pushim e disi i gulshuar. I takuar për herë të parë,  e pyes se nga e kishte prejardhjen.

  • Jemi vëllezër, nga Palçi i Mërturit të Tropojës e kam prejardhjen, prej atij fshati me emër nga rrjedh edhe familja e famshme Gërvalla,- e fytyra i shkëlqen nga krenaria.
  • A je lidhur me ndonjërin prej andej?
  • Po, me Dedë Gjolin, me sa di e kam kushëri
  • Ke gjet njeriun e duhur, i ditur e i shëtitur, nga dera e njohur e Fetë Sadik Gjergjit, e shquar për bujari e atdhedashuri.
  • Dardha bie nën dardhë , – plotësoi dikush, -që e njihte mirë Mustafën, por ky heziton të flasë për vetveten.

Si për koincidencë dëgjojmë një këngë “Për liri e për flamur, gjaku ynë nuk shteron kurrë”.

I ati, para viteve ’90,  për veprimtari patriotike, është burgosur 16 muaj në Maqedoni, ish RFS e Jugosllavisë. Edhe Mustafa, qysh në shkollë të mesme, bie në sy për shpirtin kryengritës e veprimtar shoqëror,  për më shumë liri e demokraci, për ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve e më të rriturve,  me biseda, me shkrim parullash, shpërndarje traktesh e komunikatash, organizim protestash e forma të tjera rezistence. Në vitet e para me parullën “Kosova Republikë” e më vonë me një  ideal e vizion të ri më të avancuar ”Kosova e Pavarur”.

Në vitin 1984 me mision largohet nga Gjakova për në Bajram Curri dhe prangoset nga organet e Punëve të  Brendshme. E marrin nën hetim, e pyesin e sterpyetin, bile na përmend një oficer me mbiemrin Neza e punonjësin Sylë Kuca. I kuptojnë zemrën e dëshirat e tij, e shohin me dhembshuri, fillimisht me dyshime, por më vonë biseduan si vëllai me vëlla, me aq sa lejohej. Pas 35 ditësh e kthejnë në Kosovë  e burgoset 6 muaj. Flet me pasion e gjallëri, me zjarrin e pashuar për liri e Pavarësi reale. Përmend shokët e shkollës  Prend e Mem Lleshin të rënë në betejën e Rugovës me 1998, djalin e xhaxhait Avdylin, mësuesin frymëzues e patriot Palush Sylaj nga Vogova, takimin me Ilmi Haradinaj, babai i heroit të Kosovës, Ramush Haradinaj…Flet deri në detaje për veprimtari atdhetare për çlirimin e Kosovës, për keqtrajtimin fizik e moral në vitin 1993 nga shkijet e shërimin në Gjermani, për vitin 1998 kur përballja me serbët bëhet e ashpër e serioze, për mungesat në armatim e peripecitë e sigurimit të municionit.

Pa harruar edhe biznesin, zemra i rreh fort për Kosovën, mendon e punon për forcimin e saj, për lirinë e sovranitetin, por meraku e fantazia i shkon edhe më larg, atje ku i ka rrënjët e të parëve, në Palçin e Gurit, buzë  Drinit e rrëzë Agrit e T’thermes, aty ku u thyen ushtritë e Turgut Pashës me 1910.  Së fundi më tregon edhe një listë me brezat, aty ku takohen me vëllezërit palçnorë e ma len amanet për t’ia saktësuar.

Me gjithë dëshirën e madhe për të qëndruar më gjatë, u detyruam për t’u larguar për një vizitë në Prizrenin historik e përbashkues e më vonë për Tiranë.

Në këto vizita pamë nga afër përvojë e vlera pozitive në rritje, që na afrojnë natyrshëm e na bashkojnë  me njëri –tjetrin e me botën e qytetëruar, të mbështetura në traditën e çmuar e të sotmen frymëzuese, të përshkuara natyrshëm nga fryma e civilizimit perëndimor.

U larguam për t’u kthyer përsëri në trojet Dardane, aty ku kemi edhe një pjesë  të zemrës e përkushtimit tonë.

FRROK  VUKAJ

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra