Curraj i Epër ishte i vetmi fshat i Tropojës që më kishte mbetur pa e parë. Më së fundi, erdha edhe këtu. E dija që është një ndër mrëkullitë e rralla të natyrës shqiptare. I vendosur në një lartësi, rreth 870 m mbi nivelin e detit, mes malesh kryelartë, mbi 2000 m, në zemër të Alpeve shqiptare, në një luginë, e cila përshkohet nga një lumë me ujë qelibar, ku mund të shihet lirisht trofta e rrallë me pika të kuqe (që të sjell ndërmend vargjet e një bohemi tropojan për vajzën malësore, “sikur troftë me pika të kuqe// e mirë çikë, po ma e mirë nuse”).
Vërtet, një mrekulli e natyrës, një amfiteatër në gjirin e saj. Por kjo nuk ishte e befasishme për mua. Këtë e prisja. Të tjera befasi të këndshme do të më ofronte Curraj i Epër:
1. Befasia e parë ishte lëvizja dhe gjallëria, në rritje, në rrugën automobilistike, gjithsesi të vështirë, që të çon në këtë fshat. Në “Përroin e Bardhë”, u takuam me Hysni Shatrin dhe Safet Blakajn, dy shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin marrë rrugën për në Curraj të Epër. Në “Qafën e Mrrethit”, takova “bashkëluftëtarin” tim në protestat kundër ndërtimit të H/C në Valbonë, inxh. Abdulla Diku, i cili po shoqëronte një grup studentësh çekë, në një ekspeditë studimore të zonës. Po aty takuam edhe një grup të UNESCO-s, i cili, gjithashtu, kishte ardhur për një vizitë studimore. Befasi shumë e këndshme për mua ishte takimi në këtë Qafë me ish-nxënësin tim të klasës së gjashtë të shkollës në Gjonpepaj (1976), Pal Ulndreaj, i cili kishte ndërtuar këtu stanin e vet dhe një lokal për të sajdisur miqtë.
2. Në krye të Currajt të Epër, na kishte “zënë pritë”, Ndue Mitri (Prebibaj). Na tha se kishte një amanet nga biri i këtij fshati, biznesmeni dhe humanisti i mirënjohur, Skendër Perpepaj, (aktualisht me banim në Angli): kafen e mirëseardhjes në Curraj të Epër ta pimë në shtëpinë e tij. Amaneti, amanet, s`ke ç`i bën. Ai përpara me mushkë, ne pas tij me makinë, drejt e në shtëpinë e sapondërtuar të Skënderit. Por kafja na doli të ishte me “bisht”. Pas ujit akull te ftohtë, në tavolinë vërshoi rakia, djathi, flija, mjalti, revania etj, gjithçka e kuzhinës tradicionale, bio. Ndue Mitrin me të shoqen, Agim Perpepajn, Toninin, ishte hera e parë që po i takonim, por, gjithë çehre, po na bënin muhabet dhe me gjithë qënien e tyre po përpiqeshin që ne ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë. Mora vesh se Ndue Mitri u “zinte pritë” edhe vizitorëve të tjerë, në hyrje të fshatit, me, ose pa amanet.
Njerzillëku, bujaria, mikpritja, e rrënjosur në kodin gjenetik të këtyre njerëzve të mirë, ishte befasia më e këndëshme që na ofroi Curraj i Epër. Ato kishin mbetur të paprekura nga regjimi komunist, nga ekonomia e tregut dhe nga globalizmi.
3. Befasia e tretë, përsëri, ka të bëjë me njerëzit e Currajt të Epër dhe trashëgiminë e tyre kulturore dhe historike. Kisha e fshatit që mishëron besimin e tyre në Zot, u mbrojt me gjak kundër pushtuesve serbo-malazezë, në vitin 1915, ashtu siç u mbrojt në vitin 1967, nga vala shkatërrimtare e regjimit diktatorial, e drejtuar kundër besimeve fetare dhe objekteve të kultit.
Kulla e Ngujimit (e ndërtuar në vitet 1840-1850), megjithëse e dëmtuar, është njëra prej dy kullave të këtij lloji (tjetra është në Theth), që ende ruhet. Për të patën shfaqur interes albanologët Nopça e Durham, para më shumë se 100 vjetësh, por për shtetin e sotëm shqiptar nuk ka asnjë interes, duke e lënë atë në mëshirë të fatit. Në thelbin e vet, Kulla e Ngujimit ka patur qëllim human-mbrojtjen e jetës, në luftë me vdekjen. Mjafton ky argument që shteti shqiptar të shohë mundësinë e caktimit të një fondi për ta rindërtuar atë dhe për ta shpallur monument të kulturës. Gjithashtu, mendoj se shteti duhet të shohë mundësinë e përmirësimit të rrugës së tanishme (ndërtuar me kontributet e banorëve të zonës dhe të Bashkisë Tropojë), pse jo edhe asfaltimin e saj, me qëllim shkurtimin e kohës së udhëtimit për Curraj të Epër, sepse tani, nga qendra Lekbibaj, deri atje, duhen 2-3 orë.
Falenderoj të gjithë ata, të cilët bënë që ky udhëtim të kthehet në një ndër kujtimet tona më të bukura: mikun tonë Skënder Perpepaj, shoqëruesin Gjokë Rama, shoferin Duf Sokoli, mikpritësit tanë Nduen me bashkeshorten, Agimin dhe Toninin.
Të fundit
Aktualitet
Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e GjermaniAktualitet
Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendërAktualitet
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në maleAktualitet
Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë EuroshAktualitet
Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026



