Duke nisur nga 5 shtatori

 

Punonjësit e Apple do të kthehen më së fundi në zyrë, më 5 shtator, pas disa përpjekjeve të dështuara për shkak të Covid-19. Punonjësve u është kërkuar të punojnë tre ditë në zyrë, sipas një modeli pune hibride.

Në një email të brendshëm, CEO i kompanisë,Tim Cook, deklaroi që e marta dhe e enjtja do të jenë ditët e përcaktuara në gjithë kompaninë dhe ekipet përkatëse do të vendosin ditën e tretë.

“Çdo ekip do të vendosë se cila është dita më e përshtatshme për ta dhe shumë shpejt do të merrni njoftim nga drejtuesit tuaj. Ashtu si edhe më parë, shumë punonjës do të kenë mundësi të punojnë në distancë dy ditë në javë. Në varësi të rolit tuaj, do të keni edhe mundësinë të punoni në distancë deri në katër javë në vit” – shtoi Cook.

Afati i 5 shtatorit, megjithatë, lidhet vetëm me punonjësit e Santa Clara Valley dhe Cook deklaroi se “shumë seli në gjithë botën do të jenë në faza të ndryshme dhe se në një kohë të shkurtër do të merrni detaje të mëtejshme”.

Njoftimi vjen pasi gjiganti i teknologjisë ka hequr së fundi politikën e maskave të detyrueshme në kompani.

Sipas Bloomberg, kompania po punon që prej gushtit të vitit 2021 për t’i kthyer punonjësit në zyrë, kur njoftoi për herë të parë politikën e tri ditëve.

Cook tha gjithashtu se faza e hershme e fillimit të pilotimit të punës hibride ka qenë një mundësi e mirë për t’u bashkuar dhe për të takuar personalisht kolegë të rinj.

/ CNBC