Zëvendëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoană, tha në Prishtinë se Ballkani Perëndimor nuk përballet me kërcënime. Udhëheqësit e Kosovës thonë se anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë për paqe.

Zëvendëssekretari i NATO-s, gjenerali Mircea Geoana, tha në Prishtinë se NATO ka një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor, duke denoncuar kështu, siç tha, “luftën e palogjikshme dhe brutale” të Rusisë në Ukrainë si dhe “ndikimin e saj agresiv dhe keqdashës mbi Ballkanin Perëndimor”. Gjenerali Geoana, vizitoi të enjten pasdite Prishtinën ku takoi presidenten Vjosa Osmani dhe trupat paqeruajtëse të NATO-os në kuadër tëKFOR-it.

“Ne kemi një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor. Dua të dërgoj një mesazh shprese për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor se në fund të gjithë ne do ta gjejmë veten në familjen evropiane dhe euroatlantike”, tha Geoana. Geoana përshëndeti vendimet e shteteve anëtare të NATO-s në rajon, të cilët kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes siç tha si “një reagim i natyrshëm ndaj agresivitetit rus”, dhe shtoi se “NATO do të mbronte të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit të tyre”.

Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, tashmë janë anëtare të NATO-os. Ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë partnerë. Pas luftës në Ukrainë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës tashmë kanë konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, që konsiderohet si hapi i parë në procesin drejt anëtarësimit në NATO.

Osmani: Uniteti transatlantik është vendimtar

NATO Delegation zu Besuch in Kosovo

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga ana e saj, pas takimit me gjeneralin e NATO-os, nënvizoi përkushtimin e Aleancës për Kosovën, si dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Sipas presidentes “uniteti transatlantik është vendimtar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe lirisë dhe për ta luftuar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë”, thuhet në një deklaratë nga presidenca e Kosovës.