Njeriu më i pasur i Ukrainës, Rinat Akhmetov, ka ngritur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke kërkuar kompensim për humbjet e shkaktuara nga pushtimi i Moskës në Ukrainë.”
Kompania e Akhmetovit, “System Capital Management” (SCM) tha në një deklaratë më 27 qershor se manjati kishte humbur miliarda dollarë në biznes që kur Rusia filloi luftën më shumë se katër muaj më parë.
“Si pronar i Azovstalit dhe shumë objekteve të tjera industriale që janë shënjestruar nga forcat e armatosura pushtuese ruse, zoti Akhmetov kërkon të sigurohet që Rusia të mbahet përgjegjëse për shkatërrimin që po bën në të gjithë Ukrainën”, thuhet në deklaratë.
Trupat ruse morën nën kontroll fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin port juglindor të Ukrainës, në Mariupol, në maj, pas një rrethimi që zgjati javë të tëra, ndërsa luftëtarët ukrainas rezistonin brenda fabrikës gjigante.
Akhmetov po kërkon gjithashtu një urdhër nga gjykata që “të parandalojë Rusinë nga përfshirja në bllokada, plaçkitje, devijime dhe shkatërrime të mëtejshme të grurit dhe çelikut” të prodhuar nga kompanitë e tij, thuhet në deklaratë.
“E keqja nuk mund të mbetet e pandëshkuar. Krimet e Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit tonë janë skandaloze dhe fajtorët duhet të mbahen përgjegjës,” tha Akhmetov.
Në deklaratë shkruhej se Akhmetov po kërkonte kompensim nga Rusia për “shkeljen e të drejtave të tij pronësore”. Ai tha gjithashtu se ndërsa shuma e saktë e dëmeve nuk mund të vlerësohet ende, “parashikohet Federata Ruse i detyrohet zotit Akhmetov miliarda dollarë për shkeljen e të drejtave të tij të njeriut.”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me padinë e Akhmetov, u tha gazetarëve në Moskë se Rusia nuk ishte më nën juridiksionin e GJEDNJ-së, e cila ndodhet në Strasburg, Francë.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi më 11 qershor një ligj sipas të cilit Rusia nuk do të ndjekë vendimet e GJEDNJ-së të marra pas 15 marsit.