Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Danimarka u zotuan të mërkurën që të ndërtojnë të paktën 150 gigavat në kapacitete të energjisë së erës në det të hapur (offshore) në Detin e Veriut deri në vitin 2050.
Kjo deklaratë, e nënshkruar në një samit të energjisë së erës offshore në Danimarkë, erdhi pasi Europa po kërkon gjithashtu që të reduktojë në planin afatshkurtër varësinë e saj nga importet ruse të energjisë, nisur nga rrethanat e luftës në Ukrainë.
“Kjo nuk është thjesht një deklaratë, por është e gjithë korniza për atë që duhet të bëjmë dhe do të bëjmë në të ardhmen,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi Danimarkën për të nënshkruar këtë deklaratë.
Robert Habeck, zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe ministri i ekonomisë, tha se kjo masë do të forcojë përparimin e Europës drejt energjisë së rinovueshme “dhe kështu do të reduktojë më tej varësinë nga importet e gazit”.
Rritja e bashkëpunimit
Habeck tha se deklarata ishte “baza për centralet e para të vërteta europiane”.
“Projektet duhet të zhvillohen së bashku, të financohen bashkërisht dhe energjia elektrike të shpërndahet mes të gjitha vendeve,” tha Habeck për ZDF.
Sipas Habeck, qëllimi nuk ishte më “që secili vend të bënte punën e tij, por duhet të ketë një qasje vërtetë bashkëpunuese”.
Turbinat e erës do të ngrihen në brigjet e të katër vendeve. Projekti do të sjellë dhjetëfishimin e kapacitetit aktual të energjisë së erës offshore të BE-së.
Ky kapacitet do të mjaftonte për të furnizuar me energji 230 milionë shtëpi në Europë. Ambicia është gjithashtu që të përdoret energjia e gjelbër për të prodhuar hidrogjen dhe lëndë djegëse të gjelbërta për industrinë e rëndë dhe të transportit, që nuk mund të kalojnë në energji elektrike shumë thjeshtë, tha ministri danez i biznesit Simon Kollerup.
Sipas ministrit të Danimarkës për klimën dhe energjinë, Dan Jorgensen, kostoja e instalimit të 150 gigavatëve të energjisë së erës në det të hapur do të arrinte në qindra miliarda dollarë dhe do të financohej kryesisht nga investitorë privatë me subvencione të vogla shtetërore.
Komisioni Europian synon të arrijë 300 gigavat të energjisë së erës offshore deri në vitin 2050, nga afërsisht 16 gigavat të instaluara aktualisht.
REPowerEU për 300 miliardë euro
Ditën e mërkurë, von der Leyen prezantoi REPowerEU, planin e BE-së për t’u shkëputur nga importet e energjisë ruse.
Për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile të Rusisë, Brukseli po ofron një plan me tre drejtime, duke përfshirë zhvendosjen drejt importit të një sasie më të madhe gazi nga vende të tjera pa llogaritur Rusinë, adoptimin e shpejtë të energjisë së rinovueshme dhe përpjekjet e shtuara për kursimin e energjisë.
Plani i BE-së do të kushtojë deri në 300 miliardë euro (316 miliardë dollarë). Sipas von der Leyen, shuma do të përfshijë rreth 72 miliardë euro grante dhe 225 miliardë euro kredi.
Investimet do të përfshijnë deri në 10 miliardë euro për infrastrukturën e gazit, si dhe deri në 2 miliardë euro për infrastrukturën e naftës në funksion të ndalimit të dërgesave të naftës ruse.
E gjithë pjesa tjetër e financimit do të shkojë për përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, tha von der Leyen.
Plani me pesë pika i Guterres
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, publikoi gjithashtu një plan me pesë pika të mërkurën, i cili synon rritjen e investimeve në energjitë e rinovueshme.
“Ne duhet t’i japim fund ndotjes nga karburantet fosile dhe duhet të përshpejtojmë tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme përpara se të shkatërrojmë shtëpinë tonë të vetme,” tha shefi i OKB-së në mesazhin e tij. “Koha po mbaron.”
Plani i Guterres u fokusua në përshpejtimin e përhapjes së teknologjive të rinovueshme, së bashku me rritjen e investimeve dhe përfundimin e subvencioneve për lëndët djegëse fosile.
Ai bëri thirrje që investimet publike dhe private në burimet e rinovueshme të trefishohen duke shkuar në të paktën 4 trilion dollarë (3.8 trilion euro) në vit./DW