–Përshendetja e znj. ARDITA SINANI – ish kryetare e komunës së Preshevës deri në prill 2022, një nga femrat veprimtare elitare simbol të Shqiptarisë, mbajtur në “Takimi i Madh i Prishtinës – Takim PanShqiptar, NdërBallkanik, EuroAtlantik, me 13 maj 2022, pas nderimit me Çmimin “Cucë Avdyl Ulaj”, në hotel “Sirius” në Prishtinë–
Të nderuar të pranishëm,
Të respektuar organizatorë,
Zonja dhe Zotërinj,
Mirëdita.
Jam njëkohësisht e nderuar dhe e emocionuar të jem sot në mesin e kaq shumë atdhedashësve të të gjitha profileve shoqërore nga të gjitha hapësirat ku jetojnë, punojnë dhe banojnë shqiptarët.
Aq më tepër që sot më nderoni me këtë çmim. Kjo mirënjohje personale për punën time të deritanishme është edhe përgjegjësi morale dhe kombëtare për angazhimin tim në të ardhmen.
Por ky çmim është mbi gjithash përkushtim i Juaj për Luginën ne Preshevës.
Një përkushtim më se i nevojshëm në kohërat që po jetojmë. Sepse ndonëse rajoni ka sot 3 Kryeministra shqiptarë dhe se krahas periudhës para njëzet viteve, pozita e shqiptarëve ka përmirësime në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, ajo po degradohet çdo ditë e më shumë me thellimin e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore nga Serbia.
Siç dihet, shqiptarët e Luginës mbeten të përjashtuar nga çdo institucion me pushtet real ekzekutiv dhe me buxhet. Ishin dhe janë të përjashtuar nga drejtësia, ekonomia dhe siguria, si fusha kryesore për liri, zhvillim, mirëqeni edhe barazi. Pastaj thelbi i problemit: Kushtetuta aktuale dhe ligjet në fuqi të Republikës së Serbisë, modeli administrativo-territorial i brendshëm, si dhe klima e thellë antishqiptare dominuese në elitat e tanishme politike dhe publike në Beograd.
Së fundi kemi edhe aktivizim në pasivizim të vendbanimeve për ta dinamizuar pastrimin etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pasivizim që po zgjatet tash edhe nëpër institucione. Fshijë shqiptarët nga regjistrat civil. Fshijë nga institucionet. Fshijë nga shtëpitë e tyre.
Siç i përjashtoi para pak vitesh ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga pushteti lokal, tash aparati shtetëror i Serbisë është angazhuar me vrull të jashtëzakonshëm për t’i përjashtuar deputetët shqiptarë nga parlamenti, sidomos ata sipas modelit të z.Shaip Kamberi.Beteja vazhdon edhe sot.
Pra, Serbia po dëshmon se nuk e do as edhe 1 deputet të vetëm shqiptar në një parlament me shumicë absolute të deputetëve serb, ku nuk ka madje asnjë mekanizëm të diskriminimit pozitiv për joserbët. Nuk e duan deputetin shqiptar as sitë vetëm dhe as si opozitar.
Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej institucioneve komunale dhe zbatimit të marrëveshjeve për Luginën e Preshevës, Serbia vepron drejt eliminimit politik të deputetëve që mbrojnë interesat e vërteta të shqiptarëve, nënshtrimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe marrjen nën kontroll të qeverisjeve komunale të Luginës së Preshevës. Siç pritet së shpejti edhe në Preshevën me 95% shqiptarë.
Të dashur bashkëkombës/e,
Pluralizmi i politikës shqiptare në Luginë është vlerë demokratike që duhet ruajtur, pasuruar dhe zhvilluar. Mirëpo në gjendjen dhe vendin që jemi, e sidomos pushtetin qendror që kemi, ky pluralizëm duhet të ketë para së gjithash unitet karshi Beogradit. E për këtë nevojitet kontribut i Prishtinës dhe Tiranës zyrtare.
Përndryshe rrezikohet ‘sanxhakizimi’ i Luginës, si në Novi Pazar, ku pushteti në Beograd ndikoi që të ndërtohen rryma të ndryshme antagoniste boshnjake me qasje të ndryshme karshi tij. Kjo skemë i shërben edhe sot vetëm interesave të pushtetit në Beograd.Nuk ka avancim të të drejtave të boshnjakëve dhe nuk ka zhvillim të Sanxhakut. Ka pasurim të politikanëve lokal boshnjak që mirëmbajnë këtë politikë. Pra, Prishtina dhe Tirana nuk duhet ta bëjnë me Luginën gabimin që e bëri Sarajeva me Sanxhakun.
Kjo sidomos kur në anën tjetër e ke Serbinë e Vuçiqit, Daçiqit dhe Vulinit.
E në këtë drejtim, edhe ky takim i sotëm, Takimi i Madh i Prishtinës, simbolizon pos tjerash interesimin dhe gatishmërinë e kontributit të atdhedashësve shqiptarë për Luginën e Preshevës.
Mbetet ta organizojmë dhe dinamizojmë bashkërisht.
Për një Luginë të lirë dhe të zhvilluar.
Ju faleminderit shumë nga zemra!
Prishtinë, 13 maj 2022