Shtetasit rusë po shpenzojnë mesatarisht 40% të të ardhurave të tyre për ushqime. Kjo është gati dyfishi i nivelit të shpenzimeve përpara luftës në Ukrainë, i tha agjensisë së lajmeve Reuters drejtori i zyrës ndërlidhëse për Rusinë në agjensinë e OKB-së për ushqimin.
Të dhënat zyrtare të qeverisë ruse tregojnë se inflacioni vjetor për ushqimet arriti më 1 prill në 18.75%, ndërsa ekonomia po vuan pasojat e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, pas sulmit që filloi më 24 shkurt në Ukrainë.
Oleg Kobiakov, nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tha se shumë familje ruse e kanë të vështirë të përballojnë krizën, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre po shkon për nevojat bazë, si ushqimi.
“Njerëzit po shtyjnë planet për të shkuar p.sh. për studime apo për të blerë një shtëpi. Po kursejnë në rast se do të humbasin vendin e punës, apo në rast vdekjesh”, thotë ai.
Një familje mesatare në Bashkimin Evropian shpenzon rreth 12% të të ardhurave për ushqime, thotë ai, duke shtuar se megjithëse nuk duket të jetë shfaqur ende uria në Rusi, familjet më të varfëra do të përballen me një pasiguri në rritje për ushqimin.
Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë kanë izoluar ekonominë e saj nga pjesa më e madhe e tregtisë globale, e kanë përjashtuar atë nga sistemet financiare globale dhe kanë shtyrë shumë kompani ndërkombëtare të ndërpresin marrëdhëniet me këtë vend.
Që me fillimin e luftës, shumë rusë filluan blerje me shumicë nga paniku të rezervave të sheqerit dhe drithit, me frikën se çmimet do të rriten edhe më shumë, duke shtuar kështu edhe presionin ndaj qeverisë që të përmbajë inflacionin.
Moska po shqyrton mundësinë e vendosjes nën kontroll të çmimeve për ushqimet, ilaçet dhe produkte të tjera, ndërsa ka ndaluar eksportin e disa produkteve bujqësore. Autoritetet ruse thonë se mund të vendosin edhe çmime në rubla për të gjitha eksportet ruse.
Megjithëse këto masa kanë patur një lloj ndikimi për të frenuar inflacionin për produktet e konsumit, sipas një studimi të agjensisë së lajmeve Reuters, ai pritet të rritet me 23.7% këtë vit, rritja më e lartë kjo që nga viti 1999,.
Studimi tregon gjithashtu se ekonomia e Rusisë është tkurrur me 7.3% gjatë vitit 2022 – tkurrja më e madhe që nga viti 2009.
Zoti Kobiakov thotë se pagat e rusëve kanë qëndruar pothuajse njësoj gjatë luftës, por me rritjen e çmimeve është dobësuar fuqia blerëse dhe njerëzit janë të shqetësuar për sigurinë e vendeve të punës, pasi shumë firma perëndimore u larguan nga vendi. Moska i quan veprimet e saj në Ukrainë “një operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar këtë vend./ Reuters