Punonjësit që kalojnë një deri në dy ditë në javë duke punuar në zyrë dhe pjesën tjetër të kohës duke punuar në distancë, duket se janë më të angazhuar në punë dhe kanë më pak gjasa që ta lënë atë. Këto janë rezultatet intriguese të një sondazhi të ri me 1,043 punonjës nga kompania e softuerëve të planifikimit inteligjent, Clockwise.

Në këtë sondazh, punonjësit duhet të vlerësonin vendet e punës në një shkallë nga “shumë e qëndrueshme” në “shumë e paqëndrueshme”.

Megjithëse shumica e njerëzve e lidhin termin “e qëndrueshme” me problemet mjedisore, kjo është një mënyrë e mirë për të parë edhe vendet e punës, thotë Anna Dearmon Kornick, drejtuese e komunitetit në Clockwise dhe trajnere për menaxhimin e kohës. “Ne duhet të kemi mënyra të reja për të përshkruar mënyrën se si na duket puna tani” – thotë ajo.

Krijimi i një mjedisi në punë që punonjësit e përshkruajnë si të qëndrueshëm mund të kontribuojë edhe në rritjen e fitimeve të kompanisë, sipas sondazhit. 70 për qind e të anketuarve thanë se një vend pune me një kulturë më të qëndrueshme është më i aftë të rritet dhe të bëjë inovacion, ndërsa 71 për qind deklaruan se një ambient i tillë ndikon në angazhimin e punonjësve në punën e tyre.

Nuk është për t’u habitur fakti që një vend pune më i qëndrueshëm ka më shumë gjasa që t’i bëjë punonjësit të mos largohen. Vetëm 51 për qind e të anketuarve që thanë se vendi i tyre i punës nuk ishte shumë i qëndrueshëm, deklaruan se kishte mundësi që të vazhdonin të qëndronin në atë punë edhe për një vit, krahasuar me 93 për qind të atyre që e vlerësuan vendin e punës si shumë të qëndrueshëm.

Pra, çfarë e bën një vend pune të qëndrueshëm, sipas të anketuarve në sondazh?

 

  1. Një deri në dy ditë në javë punë nga zyra

Kompanitë sot po përpiqen të gjejnë mënyra për të menaxhuar punën hibride dhe shumë punonjës po kërkojnë të punojnë në distancë me kohë të plotë. Pra, është interesante të theksohet se rreth 83 për qind e punonjësve që kalojnë një deri në dy ditë në zyrë e konsiderojnë vendin e tyre të punës të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, vetëm 67 për qind e atyre që punojnë në zyrë me kohë të plotë dhe rreth 77 e atyre që punojnë në zyrë tre deri në katër ditë në javë e konsiderojnë vendin e punës si të qëndrueshëm. Edhe ata që punojnë nga shtëpia me kohë të plotë kishin më pak gjasa për të qenë të kënaqur me punën, me vetëm 81 për qind që i konsideronin vendet e punës si të qëndrueshme.

Pse puna nga zyra një deri në dy ditë në javë duket se i bën punonjësit ta pëlqejnë më shumë punën e tyre? “Me vetëm një fjalë, arsyeja është përkatësia,” thotë Kornick. “Ne zbuluam gjatë bisedave me të anketuarit se ndjenja e përkatësisë është vërtet e rëndësishme për ta konsideruar vendin e punës si të qëndrueshëm. Kur jeni në zyrë një deri në dy ditë në javë, keni ndërveprime ballë për ballë me kolegët”

Në të njëjtën kohë, njerëzit e vlerësojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia dhe ata janë më produktivë kur punojnë nga distanca, thotë ajo. “Kështu, mendoj se kjo u jep njerëzve një ekuilibër të mirë për t’u ndier të lidhur me diçka më të madhe, si dhe për të vazhduar e për të pasur fleksibilitetin dhe autonominë që kërkojnë.”

  1. Të jesh shefi.

Fatkeqësisht, duket se një vend pune i qëndrueshëm lidhet kryesisht edhe me titullin e pozicionit tuaj. Nga të anketuarit që ishin drejtues të lartë në kompani të ndryshme, vetëm 5 për qind thanë se vendet e punës nuk ishin të qëndrueshme. Por, sa më poshtë të shkosh në hierarki, aq më shumë punonjës e konsiderojnë vendin e punës jo të qëndrueshëm.

Kjo përfshin 11 për qind të menaxherëve të niveleve të mesme, 19 për qind të menaxherëve të rinj dhe 22 për qind të punonjësve në nivele jo-drejtuese. Me fjalë të tjera, një në çdo pesë punonjës që nuk janë menaxherë mendon se vendi i punës nuk është i qëndrueshëm, dhe ata kanë katër herë më shumë gjasa të mendojnë kështu krahasuar me drejtuesit e kompanive të tyre.

  1. Të kesh një shef që kujdeset për ekuilibrin punë-jetë.

Nëse nuk mund të jeni ju vetë shefi, atëherë të pasurit e një menaxheri që kujdeset për ju edhe në aspektin njerëzor është gjëja tjetër më e mirë. Më shumë se 74 për qind e të anketuarve që besonin se vendi i tyre i punës ishte i qëndrueshëm, ishin dakord me deklaratën:

“Menaxheri im bën një punë të mirë për të më nxitur që të balancoj jetën time të punës me jetën time personale”. 51 për qind e atyre që e përkufizuan vendin e punës si jo të qëndrueshëm nuk u pajtuan me këtë deklaratë.

Punonjësit e angazhuar janë më produktivë dhe kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në kompani për një kohë të gjatë. Nëse u jepni njerëzve që punojnë për ju fleksibilitetin për të qenë bashkëshortë të mirë, prindër të mirë, partnerë të mirë dhe miq të mirë – si dhe punonjës të mirë – do të përfitoni si ju, ashtu edhe ata. / INC