Ndërsa shumica e udhëheqësve botërorë po e mënjanojnë presidentin rus Vladimir Putin, një nga liderët e paktë që po mban një linjë të hapur komunikimi, është presidenti francez Emmanuel Macron.
Përpjekjet diplomatike të zotit Macron për të parandaluar luftën dështuan, por ai nuk po dorëzohet: të dy udhëheqësit kanë folur katër herë që kur forcat ruse sulmuan Ukrainën më 24 shkurt dhe 11 herë gjatë muajit të kaluar.
Udhëheqësi francez, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian, është tani një nga të paktët të huaj që e ka kuptuar mendësinë e Putinit në kohën e pushtimit më të madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kryeministri izraelit Naftali Bennett po bëhet gjithashtu një ndërmjetës, duke takuar zotin Putin në një vizitë të papritur në Moskë të shtunën dhe duke folur përsëri me të në telefon të dielën.
Shtytja e vazhdueshme e presidentit Macron për dialog pasqyron traditën e Francës së pas Luftës së Dytë Botërore për të hartuar vetë rrugën gjeopolitike duke refuzuar të ndjekë verbërisht Shtetet e Bashkuara.
Pasi trupat ruse u futën thellë në Ukrainë, vendosmëria e zotit Macron për të mbajtur kanalet e komunikimit me presidentin Putinin po u ofron aleatëve perëndimorë njohuri mbi gjendjen shpirtërore të liderit rus, synimet e tij në fushën e betejës dhe në vendin e tij, ndërsa Kremlini godet opozitarët e luftës.
“Ai po mban një kanal diplomatik të hapur për Perëndimin në rast se Putini mund të dëshirojë të ulë tensionet dhe të kërkojë një rrugëdalje nga kjo krizë,” tha Benjamin Haddad, drejtor për Evropën në Këshillin Atlantik në Paris dhe anëtar i partisë së zotit Macron.
Të dy udhëheqësit i drejtohen njëri-tjetrit me “ti” në vend të fjalës formale “ju”, tha një zyrtar i pallatit presidencial Elysee pas një telefonate.
Zoti Macron gjithashtu ka folur me presidentin Putin në emër të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha zoti Haddad, duke u përpjekur të arrijë një farë lëshimi nga Vladimir Putini: armëpushim, kalim të sigurt për civilët e bllokuar dhe qasje tek ndihmat humanitare.
Presidenti francez të hënën dënoi “cinizmin” e Moskës pas një premtimi të ri për korridoret humanitare nga disa qytete të Ukrainës që janë nën kërcënimin e zjarrit – me shumicën e rrugëve që të çojnë drejt Rusisë ose aleatit të saj Bjellorusisë, e cila shërbeu si një terren nisjeje për sulmin.
Të thuash se “ne do t’i mbrojmë njerëzit duke i sjellë në Rusi” është “hipokrizi”, tha zoti Macron në një intervistë në televizionin LCI.
Gjatë telefonatës së tyre më të fundit të dielën që erdhi me kërkesë të zotit Macron, udhëheqësi francez dhe zoti Putin u përqëndruan për gati dy orë në sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës.
Sipas një zyrtari francez, i cili foli në kushte anonimiteti, zoti Putin tha se nuk ka ndërmend t’i sulmojë ato dhe ra dakord mbi parimin e “dialogut” midis Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Ukrainës dhe Rusisë për këtë çështje.
Nuk ka “absolutisht asnjë iluzion në pallatin Elysee se zoti Putin do ta mbajë fjalën e tij për çdo gjë që premton”, tha zoti Haddad, apo se do të ndryshojë mendje për agresionin. Por zoti Haddad shtoi se është e rëndësishme që zoti Macron të vazhdojë të përpiqet ta angazhojë presidentin Putin edhe pse Perëndimi po ndëshkon Rusinë dhe po forcon mbrojtjen e Ukrainës.
Duke thyer normën diplomatike të mbajtjes sekrete të bisedave të tilla, presidenca franceze ka ndarë gjerësisht përmbajtjen e telefonatave të zotit Macron me presidentin Putin. Këshilltarët e zotit Macron dhe vetë presidenti dhanë hollësi të përpjekjeve të mëdha për të parandaluar luftën dhe më pas shpalosën premtimet e thyera për paqe të presidentit Putin.
Kjo e ndihmoi presidentin Macron të nxiste mbështetjen për sanksionet më të ashpra kundër Rusisë, duke bashkuar 27-vendet anëtare shumë të ndara të BE-së dhe duke ringjallëruar rolin gjeopolitik të NATO-s.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të shkojë në Paris të martën për të dëgjuar drejtpërdrejt nga zoti Macron për bisedat e tij të fundit me presidentin Putin. Por zyrtarët amerikanë mbeten të pakënaqur se përpjekjet e zotit Macron – ose të ndonjë udhëheqësi tjetër – kanë pasur ndonjë ndikim të rëndësishëm në procesin e vendim-marrjes së Putinit.
Presidenti francez ka qenë i qartë që në fillim: vetëm Vladimir Putini është fajtori për vdekjet dhe shkatërrimet në Ukrainë dhe për pasojat kryesore të luftës për Francën dhe Evropën. Por nga ana tjetër, nëse presidenti Putin dëshiron të flasë, ai do ta dëgjojë.
Putin dhe Macron
Zoti Putin i telefonoi udhëheqësit francez të enjten. Numri i refugjatëve që ikën nga Ukraina kishte arritur tashmë në 1 milion dhe disa qytete në lindje ishin kthyer në gërmadha. Të dy ata folën për 90 minuta.
Një zyrtar i presidencës franceze nxitoi të informojë gazetarët mbi bisedën. Presidenti Putin i tha zotit Macron se operacioni ushtarak në Ukrainë “po shkon sipas planit” dhe ai do të vazhdojë “deri në fund”.
Presidenti Putin pretendoi se “krime lufte” po kryheshin nga ukrainasit. Ai i quajti ata “nazistë”, tha zyrtari. Nuk ka nevojë për të negociuar, tha zoti Putin. Ai do të arrijë “neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës” me ushtrinë e tij.
Presidenti Macron “i tha të vërtetën” Putinit, tha zyrtari dhe i shpjegoi se si lufta e tij kundër Ukrainës perceptohet nga Perëndimi.
“I kërkova të ndalonte sulmet ndaj Ukrainës. Në këtë pikë, ai refuzon”, shkruajti në Twitter presidenti Macron.
Ai tha se dialogu do të vazhdojë. “Ne duhet të parandalojmë që të mos ndodhë më e keqja.”
Që kur u zgjodh president në vitin 2017, zoti Macron ka treguar një interes të madh për të krijuar marrëdhënie personale me udhëheqësit botërorë.
“Zoti Macron shquhet ndër udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Evropian për gatishmërinë e tij për t’u vendosur në qendër të vëmendjes, për t’i dhënë formë politikave të jashtme dhe për të nxitur zhvillimet“, tha Silvia Colombo, eksperte për marrëdhëniet me jashtë të Bashkimit Evropian në Institutin Ndërkombëtar në Romë.
Nuk ka udhëheqës tjetër ndërkombëtar për të cilin zoti Macron të jetë përpjekur më shumë për ta afruar se zotin Putin. Zoti Macron kishte besimin se një kombinim sharmi personal dhe i shkëlqimit të së shkuarës së Francës do ta bindte zotin Putin që ta mbante Rusinë brenda kuadrit evropian të sigurisë.
Zoti Macron e ftoi për herë të parë zotin Putin në Pallatin e Versajës në vitin 2017. Dy vite më vonë ata diskutuan për bisedimet e ngecura për paqen në Ukrainë, në rezidencën verore të zotit Macron në Rivierën Franceze, ndërsa ai përpiqej të ndërtonte një diplomaci evropiane që ka ndihmuar në lehtësimin e armiqësive në të shkuarën.
Është bërë e qartë gjatë javëve të fundit se zoti Putin kishte marrë trajektoren e luftës, megjithëse ndërkohë e mohonte, ndërsa ndodhej i ulur përballë zotit Macron në një tavolinë të gjatë gjatë vizitës së tij në Moskë.
Zoti Macron kishte dëshirën ta besonte, tha Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian pasi kritikët thanë se presidenti francez kishte rënë në kurthin e vjetër të përpjekjes për të qetësuar Rusinë e Vladimir Putinit.
“Presidenti nuk është naiv”, tha zoti Le Drian, në prag të sulmit të Rusisë. “Ai i njeh metodat, karakterin dhe natyrën cinike të Putinit”./VOA