Raketat goditën kryeqytetin Kiev të premten ndërsa forcat ruse vazhduan të avancojnë. Ndërkohë autoritetet ukrainase thanë se po përgatiteshin për një sulm që synonte përmbysjen e qeverisë.
Sirenat që sinjalizonin sulme ajrore ushtuan në Kiev, një qytet me tre milionë banorë. Disa nga banorët u strehuan në stacione metroje, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin ndërmori një sulm që ka tronditur botën.
“Sot ne jemi të vetëm në mbrojtjen e vendit tonë, ashtu si dje. Forcat më të fuqishme në botë shikojnë nga larg. A e kanë bindur Rusinë sanksionet e djeshme? Ne shohim në qiell dhe gjendjen në terren dhe ndjejmë se ato nuk janë të mjaftueshme”, u tha ukrainasve Presidenti Volodymyr Zelenskyy.
Ai i bëri thirrje Perëndimit për masa më të ashpra ndaj Rusisë duke shprehur keqardhjen për atë që ai e përshkroi si “mbështetje shumë të ngadaltë” nga Perëndimi.
“Kur bombat bien në Kiev, kjo ndodh në Evropë, jo vetëm në Ukrainë. Kur raketat vrasin njerëzit tanë, do të thotë që vdesin evropianë. Unë kërkoj më shumë siguri për Evropën, më shumë mbrojtje për Ukrainën si pjesë e një bote demokratike”, tha ai.
Para një takimi të posaçëm të NATO-s për të diskutuar për sulmin rus, Sekretari i Përgjithshëm i alenacës, Jens Stoltenberg bëri thirrjen për ndaljen e agresionit.
“Moska mban përgjegjësinë e vetme për sulmin e qëllimshëm, gjakftohtë dhe të planifikuar prej kohësh. Ne dënojmë fuqimisht agresionet e Rusisë. I bëj thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake.”
Ai tha se aleanca qëndron “me popullin e guximshëm të Ukrainës” dhe “mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Nga ana tjetër udhëheqësi ukrainas, Zelenskyy i kërkoi sërish presidentit rus Vladimir Putin që të ulen për bisedime për t’u dhënë fund luftimeve.
Kremlini tha se e mirëpriste propozimin e zotit Zelenskyy për të negociuar një status neutral për Ukrainën si një “lëvizje në drejtimin pozitiv”. Sipas Moskës presidenti Putin ka sugjeruar që të mbahen bisedime në Minsk.
Ndërkohë nuk ka shenja për uljen e tensioneve ndërsa Rusia vazhdon sulmet në qytetet ukrainase.
Zyrtarët ukrainas thanë se një avion rus u godit nga forcat ukrainase dhe u rrëzua mbi një ndërtesë në Kiev gjatë natës, duke i vënë flakën dhe duke plagosur tetë persona.
Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga qytetet kryesore dhe ka njoftime për dhjetëra të vrarë. Ukrainasit po shkonin në Poloni, Rumani, Hungari dhe Sllovaki. Ata ishin kryesisht gra dhe fëmijë pasi Kievi ndaloi largimin e burrave 18 deri në 60 vjeç.
Trupat ruse morën nën kontroll ish-centralin bërthamor të Çernobilit në veri të Kievit, ndërsa përparonin në qytet nga Bjellorusia.
Zoti Zelenskiy tha se trupat ruse e kishin atë në shënjestër, por se ai do të qëndronte në Kiev.
Të enjten NATO urdhëroi komandantët e saj ushtarakë të intensifikojnë përgatitjet e për të mbrojtur territoret aleate, duke vënë në gatishmëri qindra avionë luftarakë dhe anije dhe duke rënë dakord të rrisin numrin e trupave në krahun e saj lindor.
Rusia nisi agresionin e saj nga toka, ajri dhe deti të enjten pas shpalljes së luftës nga presidenti Putin, në sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.