Nga Indrit VOKSHI
Njeriu që tentoi vrasjen e Azem Hajdarit brenda në parlament. I qëlloi por e plagosi, nuk mundi me e vra. Dy herë ka ndodhur kjo në parlament. Njëherë në vitin 1923 kur Beqir Valteri qëlloi për me vra Ahmet Zogun dhe vetëm e plagosi dhe njëherë në 1997 nga ky, kundër Azem Hajdarit. Në të dyja herët janë socialistët të cilët përgjakin institucionet.
Mazreku u dënua me 12 vite burg. U lirua shpejt dhe pas lirimit u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në Has. Partia Socialiste e atëhershme (Komisioni i Garancive Statutore) nuk e pranoi zgjedhjen e tij. Megjithatë u zgjodh kryetar komune i PS-së.
Kurse Partia Socialiste sot e shpall qytetar nderi. Se për çfarë njihet dhe çfarë ka bërë Gafurr Mazreku për tu shpallur qytetar nderi, askush nuk e di. Motivacioni është “për kontribut në pushtetin vendor”. Pra kanë gjetur diçka, se kur është për ksi punësh, ia thurin aq bukur saqë edhe vetë personi nuk e beson.
Pse është e pistë kjo vepër? Sepse jepet kumti se qytetari i nderit mund të jetë kushdo, mjafton t’i ketë shërbyer “Pushtetit Popullor” të socialistëve. Aq më tepër, mund të jetë edhe një vrasës i dënuar për ketë punë. Është veçanërisht e pistë sepse shkrehja e armës nuk ka qenë dosido por kundër një deputeti të opozitës. Pra njerëzit të cilët kanë shkrehur armët kundër Partisë Demokratike, shpallen qytetarë nderi.
Partia Socialiste e Nanos ndoshta kishte njëfarë kompleksi nga e shkuara komuniste dhe Nano përpiqej ta vendoste një maskë. Kurse Rama është safi bllokmen, nuk ka maskë dhe e thotë më hapur se paraardhësit. Ai ndjek shembullin e krimit të zyrtarizuar në institucione e shoqëri dhe madje shpërndan krenari për kriminalitetin që ka zyrtarizuar. Dhe kush? Vetë Rama i cili në librin “Refleksione” me Ardian Klosin shkruan se “Partia Socialiste duhet të distancohet nga e shkuara e saj kriminale ose përndryshe nuk ka të drejtë të ekzistojë në shoqërinë shqiptare”. Dhe vetë Rama kur erdhi kryetar e avancoi më tej kriminalitetin e zyrtarizuar të Bllokut.
Kështu, rasti “Mazreku” nuk është rast i izoluar. Ai është guri i rradhës në mozaikun e projektuar për t’i dhanë krimit dhe anti-vlerës fytyrë zyrtare, institucionale, kostum e kravatë dhe mikrofon. Ai vjen pasi Rama i veshi me kostum dhe iu dha fytyrë zyrtare disa kriminelëve duke i emëruar deputetë dhe kryebashkiakë, duke i emëruar shefa policie dhe inspektorë e drejtues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, organ që kontrollon punën e policisë.
Rama e kryen haptas dhe pa turp, pa skrupuj, sepse amoralitetin që vetë ngërdhen dhe përfaqëson, synon t’ia paraqesë dhe imponojë Shqipërisë si të vërtetën tonë zyrtare si komb. Dhe çfarë ndodh kur diçka bëhet e vërtetë zyrtare? Ndodh që gjithçka që bie ndesh me të, vetvetiu shpallet e gabuar dhe e dënueshme. Njëlloj si para 1990 në “diktaturën e proletariatit” kur e vërteta zyrtare ishte diktatura dhe fjala e lirë ishte vetvetiu e gabuar dhe e dënueshme. Ku e vërteta ishte suksesi i padiskutueshëm në të gjitha fushat dhe çdo ankesë ishte e gabuar dhe e dënueshme. Ku e vërteta ishin kriminelët e Byrosë Politike e Komitetit Qëndror dhe, çdo fjalë mbi krimet e tyre ishte krim.
Prandaj ky rast nuk është thjesht rast. Është simptoma e rradhës e sëmundjes mendore dhe morale të atyre që po e sundojnë me dhunë popullin shqiptar.