E përballur me një çështje në lidhje me politikat e pranimit me bazë racore të Universitetit të Harvardit, Gjykata e Lartë i ka kërkuar Departamentit amerikan të Drejtësisë të japë mendimin e tij për këtë çështje.
Profesori i Universitetit të Kentakit, Gregory Vincent thotë se është e rëndësishme që gjykata të kërkojë pikëpamjet e administratës.
“Unë mendoj se marrja në konsideratë e pikëpamjeve të administratës, e cila ka në fokus arsimin, është interesante dhe një gjë e mirë, veçanërisht kur shqyrtohet një precedent i fundit”, tha ai.
Pesë vjet më parë, profesor Vincent ishte zëdhënës i Universitetit të Teksasit në Austin, kur ai u padit për politikat e saj të pranimeve me baza racore.
“Ne arritëm të argumentonim bindshëm se larmia është një interes në arsimin e lartë nga i cili përfitojnë të gjithë studentët. Një mjedis i fortë dhe i larmishëm i të mësuarit është një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare dhe avancon biznesin e mirë”, thotë profesor Gregory Vincent.
Avokati që përfaqësoi një studente në padinë kundër Universitetit të Teksasit pasi ajo nuk u pranua, tha se praktika e pranimeve bazuar në ligjin për të drejtat civile, që merr parasysh racën është paragjykuese.
“Ne kemi thënë në argumentet tona dhe sigurisht që kemi thënë gjatë gjithë këtij procesi se ky është një klasifikim i padrejtë. Kjo bëhet për arsye jobindëse, të pa vërtetuara dhe nuk duhet të jetë një bazë e vendimeve për të pranuar kandidatët”, thotë avokati Bert Rein.
Gjykata e Lartë vendosi më 2016 se përdorimi i racës në vendimet për pranime në shkolla është i ligjshëm. Por tani, ata që mbështesin këtë praktikë janë të shqetësuar se shumica konservatore e gjykatës 6-3 mund t’i jap fund asaj.
Profesorja Julie Park, e cila e ka këshilluar Universitetin e Harvardit për këtë çështje thotë se nëse padia është e suksesshme, ajo mund të ketë një ndikim shkatërrues për studentët nga komunitetet pakicë.
“Do të ishte absolutisht katastrofike për afrikano-amerikanët, latinët, dhe komunitetet autoktone brenda arsimit të lartë, si në Harvard, ashtu edhe në shkolla të tjera, institucione publike dhe private në të gjithë vendin”, thotë profesorja e Univeristetit të Merilendit në Kolegj Park, Julie Park.
“Eliminimi i pranimeve me bazë racore do të ndikonte në mënyrë disproporcionale studentët afrikano-amerikanë, latino-amerikanë, dhe studentët e varfër. Pranimet bazuar në meritat e kandidatëve si notat dhe rezultatet e testeve favorizojnë në mënyrë disproporcionale studentët e pasur, të cilët studiojnë nëper shkolla me gjendje shumë të mirë financiare”, thotë profesor Gregory Vincent.
Padia drejtohet nga avokati Edward Blum, një ekspert ligjor nga Teksasi. Zoti Blum ka përmendur një grup studentësh amerikanë aziatikë pa emër në padi. Ata thonë se praktika aktuale e pranimeve në universiete diskriminon aziatiko-amerikanët, duke favorizuar pakicat e tjera.
Por një studim i vitit 2020 tregoi se 70 përqind e aziatiko-amerikanëve mbështesin praktikat ekzistuese të pranimit në unversitete.
“Unë kam parë aziatiko-amerikanë që thjesht nuk e kuptojnë këtë. Ne jemi një komunitet i larmishëm në çdo mënyrë, dhe kemi një larmi reagimesh”, thotë zonja Park.
Gregory Vincent thotë se ka një mungesë provash se aziatiko-amerikanët janë të përjashtuar nga ky proces i pranimeve. Anëtarët e gjykatës së lartë shtynë shqyrtimin e çështjes, por nuk e kanë refuzuar atë.
“Unë mendoj se kjo thjesht do të dërgonte një mesazh shqetësues, se kjo çështje është ende e pazgjidhur”, thotë profesor Gregory Vincent./VOA