Von der Leyen: Jam e shqetësuar me situatën në veriun e Kosovës – zgjidhje janë bisedimet

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh e shqetësuar me krizën në veriun e Kosovës dhe bëri thirrje që palët të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Zonja Von der Leyen i bëri këto komente në Prishtinë gjatë një konference me gazetarë, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Më duhet të them se jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që situata të shtendoset dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyrë sesi mund të bëhet kjo, është nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që janë platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, tha zonja von der Leyen, e cila më vonë gjatë së mërkurës do të qëndrojë edhe në Beograd.

Për të dhjetën ditë me radhë, grupe qytetarësh serbë, po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në shenjë protestë ndaj vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat nga Serbia.

Beogradi që akuzon Prishtinën për nxitje të qëllimshme të tensioneve, ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake dhe kërkon largimin e njësive të posaçme të policisë së Kosovës nga veriu i banuar me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij vetëm po zbaton një dakordim të vjetër lidhur me përdorimin e targave të makinave, ndërsa Serbia reagoi me forcë duke dërguar trupa afër vijës kufitare.

“Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan, pasi që janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimit luftarak me tanke, helikopterë dhe aeroplanë MIG, në kufi me Kosovën”, tha ai, duke ju referuar dy sulmeve mbi zyrat e regjistrimit te makinave në dy komuna veriore.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s zgjeruan patrullimet në zonë të hënën dhe thanë se kanë biseduar me qeverinë dhe udhëheqësit lokal serbë për uljen e tensioneve.

Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij është pajtuar me propozimin e forcave të NATO-s që trupat e KFOR-it të përkujdesen për vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës, por ky propozim është refuzuar nga pala serbe.

“Mendoj që kriza në kufijtë e Kosovës me Serbinë është nga mospajtimi i Serbisë me faktin se në Jarinjë dhe Bërnjak, fillon një shtet tjetër. E këtë shtet e kanë njohur 22 shtete të Bashkimit Evropian dhe 26 shtete të NATO-s. Pavarësia e Kosovës është reale dhe mendoj se edhe për serbët edhe për Serbinë, sa më shpejt që e pranojnë këtë do të jetë më mirë për të gjithë ne. Serbët në Kosovë janë mjaftueshëm bashkëpunues sa u përket masave tona, por keni një individ në Serbi, i cili është edhe president i shtetit atje, që flet me gjuhën e viteve të 90 ta të shekullit të kaluar. Unë mendoj se këtu është problemi”, tha zoti Kurti.