Britania vuri ushtrinë në gatishmëri për të furnizuar me karburant pasi mungesa e kamionistëve shkaktoi blerje paniku të karburantit në të gjithë vendin, duke ngritur shqetësime se spitalet do të mbeteshin pa mjekë dhe infermierë.
Shumë pika karburanti u mbyllën për shkak të mungesës së benzinës dhe naftës.
Mungesa e shoferëve të kamionëve pas Brexit, e përkeqësuar nga procedura e gjatë e marrjes së patentës për drejtimin e një kamioni gjatë bllokimeve të COVID-19, ka shkaktuar kaos në zinxhirët britanikë të furnizimit, duke ngritur shqetësime për mungesa mallrash dhe rritje çmimesh në prag të Krishtlindjeve.
Sekretari i Biznesit Kwasi Kwarteng tha se një numër i kufizuar ushtarakësh që ishin drejtues tankesh, ishin vënë në gjendje gatishmërie për të shpërndarë karburant nëse është e nevojshme.
“Nëse është e nevojshme, angazhimi i personelit ushtarak do t’i sigurojë zinxhirit të furnizimit kapacitet shtesë si një masë e përkohshme për të ndihmuar në lehtësimin e presioneve të shkaktuara nga rritja e kërkesës për karburant”.
Në disa pika karburanti, shpërthyen përleshjet ndërsa shoferët kërkonin karburant.
Një kaos duket se ka kapluar ekonominë e pestë më të madhe në botë javët e fundit, pasi mungesa e kamionistëve ka tendosur zinxhirët e furnizimit dhe rritja e çmimeve të gazit natyror me shumicë ka çuar në falimentimin e kompanive.
Shitësit me pakicë, kamionistët dhe kompanitë logjistike kanë paralajmëruar se çmimet e mallrave do të rriten.
Ministrat, kompanitë e karburantit dhe stacionet e karburantit, thonë se ka furnizime të mjaftueshme me karburant, por se mungesa e kamionistëve e kombinuar me blerjen e panikut e ka shteruar sistemin.
Situata është aq e rëndë saqë Shoqata Mjekësore Britanike ka bërë thirrje që punonjësit e shëndetësisë të kenë akses prioritar në karburant për të siguruar që shërbimi shëndetësor të funksionojë normalisht.
“Meqenëse shumë vetura tani mbajnë më shumë karburant se zakonisht, ne presim që kërkesa të kthehet në nivelet normale në ditët në vijim, duke lehtësuar presionet. Ne i inkurajojmë të gjithë të blejnë karburant si zakonisht”, thanë firmat e karburantit në një deklaratë të përbashkët.
Sidoqoftë, transportuesit, stacionet e benzinës dhe shitësit me pakicë, thonë se nuk ka rregullime të shpejta pasi mungesa e shoferëve të kamionëve është e madhe, rreth 100 mijë.
Qeveria tha se do të krijonte licenca specifike për drejtimin e automjeteve të rënda, të cilat i lejojnë shoferët të transportojnë karburant./ Reuters