Presidenti Joe Biden mblodhi të mërkurën një takim virtual të nivelit të lartë mbi COVID-19, me synimin për të mobilizuar udhëheqësit botërorë, filantropistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe bizneset, në përpjekje për të mposhtur virusin deri në fund të vitit 2022. Gjatë takimit të nivelit të lartë, i cili u zhvillua paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti amerikan njoftoi për dhurimin e gjysmë miliardi dozash shtesë të vaksinës Pfizer. Korrespodentja e “Zërit të Amerikës” Patsy Widakuswara njofton.
Presidenti amerikan Joe Biden u bëri apel udhëheqësve botërorë për një “angazhim të ri në luftën për t’i dhënë fund pandemisë”. Komentet zoti Biden i bëri gjatë takimit të nivelit të lartë lidhur me COVID-19, që u zhvillua virtualisht ditën e mërkurë.
Ai njoftoi gjithashtu se Uashingtoni do të dhurojë edhe 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer, duke e çuar në 1.1 miliardë angazhimin e përgjithshëm të SHBA-së ndaj vendeve të tjera të botës.
“Për çdo dozë të dhënë deri më sot në Amerikë, jemi zotuar të japim tre të tilla në pjesën tjetër të botës“, tha Presidenti Joe Biden.
Ajo që mbetet e paqartë është se kur këto doza do t’u dërgohen vendeve të tjera. Rreth 200 milionë, nga totali prej 500 milionë dozash që administrata Biden njoftoi në qershor do të dërgohen deri në fund të vitit 2021, 300 milionë të tjera deri në mesin e vitit 2022.
Presidenti Biden njoftoi gjithashtu një shtesë prej 750 milionë dollarësh për të ndihmuar në procesin e vaksinimit në të gjithë botën dhe 1.4 miliardë dollarë për të zvogëluar numrin e vdekjeve dhe rastet e transmetimit të COVID-19s.
Organizatat humanitare i mirëpresin vendimet për më shumë vaksina, por thonë se vendet e pasura nuk mund të përcaktojnë rrugën për të dalë nga pandemia.
“Donacionet bëhen sipas gjykimit të donatorit. Ka shumë pak llogaridhënie mbi shpërndarjen. Ne kemi parë tashmë me qindra miliona doza të premtuara nga vende të pasura, të ngjashme me Shtetet e Bashkuara, sikurse vendet evropiane, që kanë një normë tejet të dobët të shpërndarjes deri më tani. Kemi nevojë për doza që cilat të jenë të dispozicion për t’u injektuar“, thotë Kate Elder, e organizatës Mjekët pa Kufij.
Presidenti Biden u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve që të trajtojnë çështjen e mungesës mbarëbotërore të oksigjenit për pacientët me COVID dhe të sigurojnë teste, pajisje mbrojtëse personale e terapi që luftojnë sëmundjen.
Një objektiv tjetër i rëndësishëm është përgatitja dhe parandalimi i pandemive në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për krijimin e një fondi në gatishmëri për raste pandemish nëpërmjet Bankës Botërore.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të kontribuojmë me të paktën 250 milionë dollarë për të ndihmuar në krijimin e këtij fondi. Ne kemi kërkuar gjithashtu një shtesë prej 850 milionë dollarësh nga Kongresi amerikan“, tha Nënpresidentja Kamala Harris.
Sipas organizatës “Mjekët pa Kufij”, më pak se 2% e popullatës në vendet në zhvillim kanë marrë qoftë edhe një dozë të vetme të vaksinës kundër COVID-it, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë siguruar mjaftueshëm vaksina për të mbrojtur të gjithë popullsinë prej 330 milionë banorësh, dhe kanë një sasi prej më shumë se gjysmë miliardi dozash të mbetura.
Shtetet e Bashkuara janë kritikuar gjithashtu për planet për të ofruar doza përforcuese për amerikanët e moshuar dhe ata me sistem imunitar të dobët, pavarësisht thirrjeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që vendet e pasura në t’u japin doza vendeve me norma të ulëta vaksinimi, përpara se të ofrojnë vaksinave përforcuese. Por administrata Biden thotë se është në gjendje të japë vaksina përforcuese e të ndihmojë në vaksinimin e vendeve të tjera të botës. Por ky objektiv varet nga kapacitetet e mëdha të prodhimit të vaksinave.
“A kanë prodhuesit aktualë kapacitete për të prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë këto doza? Apo kemi nevojë për transferim të teknologjisë dhe heqjen dorë nga pronësia intelektuale mbi to, në mënyrë që prodhuesit e tjerë të futen në lojë? Prandaj më e rëndësishmja është se cili është objektivi përfundimtar”, thotë Anand Parekh, i Qendrës së Politikave Dypalëshe.
Një mënyrë për të rritur me shpejtësi kapacitetet prodhuese është detyrimi i prodhuesve të vaksinave të heqin dorë nga patenta mbi teknologjinë përmes Organizatës Botërore të Tregtisë. Administrata Biden tha në maj se mbështet një vendim të tillë, së bashku me më shumë se 100 vende të tjera. Por pa mbështetjen e të gjithë anëtarëve të OBT-së, propozimi duket se po humbet terren. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki i tha Zërit të Amerikës se administrata pret që procesi të jetë i ngadalshëm.
“Por ky nuk ka qenë kurrë i vetmi objektiv ku jemi përqendruar. Ne jemi përqendruar gjithashtu tek rritja e furnizimit me vaksina në botë. Ne kemi ofruar më shumë vaksina sesa të gjitha vendet e tjera të botës të marra së bashku. Ne po punojmë gjithashtu me vendet që kanë kapacitete prodhuese, duke u siguruar që ata të kenë materialet që u duhen“, tha ajo.
Vëmendja po përqendrohet gjithashtu edhe tek samiti i së premtes, një iniciativë e katër vendeve, Shteteve të Bashkuara, Indisë, Japonisë dhe Australisë, në fushën e sigurisë. Palët do të shohin se si po përmbushet angazhimi i tyre i muajit mars për të prodhuar 1 miliardë doza në Indi deri në vitin 2022 me mbështetjen financiare të SHBA-së dhe Japonisë. Ndërkohë, numri mesatar i vdekjeve ditore në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 1,900 në ditë për herë të parë që nga fillimi i muajit mars. Rastet po vihen re kryesisht në mesin e 71 milionë amerikanëve që refuzojnë të vaksinohen, pavarësisht se dozat janë falas e të disponueshme.