Çdo i katërti banor i Gjermanisë ka origjinë të huaj. Por më pak se 8% e deputetëve në Bundestag kanë prejardhje jo-gjermane. Parlamenti është kështu mjaft larg realitetit, shkruan Maissun Melhem.
“What’s your Heimat?” – cili është atdheu juaj u pyet W. Michael Blumental, drejtori që themeloi Muzeun Hebre në Berlin në vitin 2014. Për kujtesë: Blumenthal erdhi në vitin 1925 në Oranienburg në afërsi të Berlinit, u rrit në kryeqytetin gjerman, të cilin në vitin 1939 ai duhej ta linte së bashku me prindërit. Familja e mbijetoi luftën në Shangai, prej vitesh ekonomisti i suksesshëm dhe sipërmarrësi jeton në Princeton në SHBA.
Blumenthal u përgjigj atëherë pa hezituar: „Atdheu im është SHBA.” Kjo përgjigje nuk mund të të habisë. I pyeturi ka qenë ministër Financash i SHBA nën presidentin, Jimmy Carter, 30 vite pasi ai si refugjat 21 vjeçar pa status me 200 dollarë në xhep dhe pak arsimim shkeli për herë të parë në San Francisco tokën amerikane. Berlini i ngjason Nju Jorkut, tha Blumenthal atëherë duke pasur parasysh pamjen multikulturore në rrugë të të dy qyteteve.
Një imigrant si ministër?
Por si qëndron puna me politikën në Gjermani? A është vërtet ajo me aq larmi dhe multikulturore si rrugët e Berlinit? Dhe a është e mundur si në SHBA ngjitja e një refugjati të ardhur në postin e ministrit? Parimisht po, edhe pse njëherë është bërë realitet. Dhe atëherë, para jo më shumë se dhjetë vitesh, në Gjermani u bë një debat i ashpër, nëse pamja “aziatike” e një ministri të Ekonomisë dhe zëvendëskancelari, si Philipp Rösler pajtohet me pozicionin e tij. Pikërisht Rössler, që erdhi 9-muajsh nga Vietnami në Gjermani, u adoptua nga prindër gjermanë dhe pati një socializim të plotë gjerman. Pse duhet që pamja dhe origjina e një politikani të luajë një rol për karrierën e tij politike?
Një fushatë shumë e bardhë
Për pak ditë zgjidhet parlamenti i ri. Demokracia gjermane është prej 72 vitesh e stabilizuar, kjo është për t’u festuar! E megjithatë një pyetje mbetet: A është rritur Bundestagu në bazë të detyrës që i jep kushtetuta? A janë përfaqësuesit vërtet „përfaqësues të të gjithë popullit”?
Sondazhet aktuale i japin shpresë momentalisht të gjitha partive në Bundestag: Socialdemokratët po korrin simpati, si kurrë më parë prej vitesh. Të Gjelbrit janë partnerë të pamënjanueshëm në të gjitha koalicionet e ardhshme të mundshme. FDP me sa duket është ndarë përfundimisht nga frika e kalimit të kufirit të hyrjes 5% në Bundestag. Këto ditë madje edhe Unioni po përmirësohet në sondazhe.
Kudo një gëzim paraprak për atë se si mund të përfundojnë zgjedhjet. Vetëm tek njerëzit me histori migracioni jo. Sepse edhe në Bundestagun e ardhshëm ata do të jenë shumë më pak të prezantuar. Në Bundestagun aktual vetëm 59 nga 709 deputetë kanë histori migracioni. Kjo i përgjigjet një pjesëmarrjeje vetëm me 8%. Mjafton një shëtitje në cilëndo rrugë të Gjermanisë për të kuptuar, madje edhe në Berlinin multikulturor, se në pllakatet zgjedhore ka gati vetëm kandidues të bardhë. Ato nuk premtojnë një rritje më të madhe të përqindjes së mëparshme.
Migrantët më shumë spektatorë
Historia e migracionit të Republikës Federale filloi pak vite pas themelimit të saj. Pasi u nënshkrua në vitin 1955 „marrëveshja për gastarbeiter-at” vit për vit nuk erdhën vetëm forca pune, por njerëz, si e ka formuluar shkrimtari Max Frisch. Po ashtu që nga vitet 50-të rreth 6 milionë vetë në Gjermani kanë gjetur mbrojtje duke kërkuar azil. Shumë prej tyre nuk gjetën vetëm një strehë të përkohshme, por filluan një jetë të re.
Ashtu si berlinezi W. Michael Blumenthal gjeti në SHBA atdheun e tij, një pjesë e madhe e këtyre njerëzve ka gjetur në Gjermani atdheun e vet. Ato janë pjesë e popullit, përfaqësimin e të cilit kushtetuta gjermane ia beson Bundestagut. Pse duhet të kënaqen ata vetëm duke e parë nga larg si spektatorë politikën në vendin e tyre? Një pyetje për të cilën duhet të jepen përgjigje. Në një kohë që mes imigrantëve dhe pasardhësve të tyre prej kohe ka mjaftueshëm njerëz të kualifikuar edhe për postet politike.
Ajo që dihet: Parlamenti i një vendi, në të cilin çdo i katërti ka një histori migracioni, është larg realitetit, kur aty më pak se 8% kanë rrënjë të huaja. Kur më 26 shtator të zgjidhet parlamenti i ri duhet të vendoset me urgjencë në rendin e ditës pyetja, si mund të përfaqësohen në në ardhmen migrantët në politikën gjermane. Sepse ne duam t’u besojmë fjalëve prekëse të presidentit federal të premten e kaluar: „Ne jemi një vend me sfond migracioni.”/DW