Nga Erald Kapri*
Vepra e Enver Memishaj – Lepenica “I. Komunistët vrasës, II. Pushkatimet para popullit”, është vepra e 26 e tij, pa përmendur këtu edhe 5 libra të tjerë që ai i ka përgatitur për botim shoqëruar me një studim prej tij. Vepra ka formatin 17 x 24 me 600 faqe.
E tërë vepra e tij hedh dritë mbi ngjarje historike të mbuluara qëllimisht me harresë prej diktaturës komuniste ose të falsifikuar prej tyre, si dhe evidenton terrorin dhe dhunën që regjimi komunist ushtroi mbi popullin shqiptar.
Shoqëritë moderne ndërtohen vetëm në bazë të lirisë dhe luftojnë që ta ruajnë atë. Kjo vlerë është lajtmotivi që shoqëria shqiptare duhet të ndjekë dhe duhet ta nisë nga e kaluara.
Shoqëria shqiptare i ngjet një eksperimenti të dëgjuar teksa kërkon të ngrejë demokracinë pa u marrë me të kaluarën e në veçanti me krimet e saj. Dënimi i krimeve është një beteje e përditshme e çdo shoqërie dhe raporti që ajo shoqëri mban me të kaluarën është lakmuesi për të kuptuar të tashmen apo edhe diçka përtej.
Libri i Enver Memishaj i shërben kësaj përpjekje, është studimi i parë për krimet e Partisë Komuniste gjatë luftës: 8 nëntor 1941 – 31 dhjetor 1944. Me modestinë dhe punën e palodhur, ai ka rritur të mbledhë fakte të shumëllojshme të cilat çmontojnë politikën e terrorit të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Memimashj nuk është ndalur vetëm në dokumente arkivore por ka ditur të mbledhë dëshmi autentike të cilat sjellin kontribut për të njohur krimet e së kaluarës.
Kur në vitin 1997 u botua në Francë “Libri i zi i komunizmit, krimet, terrori, represioni”, me bashkautorësi të disa historianëve perëndimore, Europa perëndimore u shokua nga përmasa e krimeve të cilat ishin ngritur në sistem. Studiuesit perëndimore përllogaritën se 100 milionë viktima kishin humbur jetën për shkak të terrorit komunist, dhe kjo humbje e tejkalonte me disa herë humbjet në luftë. Kjo është arsyeja që Këshilli i Europës dhe më vonë Parlamenti Europian kanë dënuar krimet e komunizmit si dhe kanë bashkuar në një, nazizmin dhe komunizmin si dy ideologji të së keqes. Krimet nuk mund të kenë ngjyrë ndaj dhe ato duhet të evidentohen, të dënohen dhe të tregohen për brezat që vijnë. Ky mbetet një detyrim fisnik.
Në librin e Enver Memishajt ne zbulojmë se krimet e komunistëve shqiptare shkojnë përtej imagjinatës së zakonshme dhe nga brutaliteti i tyre nuk kanë të ngjashëm në Europë. Ky studim është një provë që krimet për pushtet nisën mjaft herët dhe se ishin pjesë e një programi për të pastruar me radhë kundërshtarët edhe brenda vetes.
Në libër, përveç dokumenteve arkivove dhe kujtimeve autentike, autori jep një kontekst të gjerë për të kuptuar ngjarjet dhe motivet e kohës, hakmarrjen e pafre të komunistëve e cila shpesh as nuk ngjante me ndonjë udhëzim ideologjik.
Studimi nxjerr zbuluar në përfshirje në krim nga ish kreun komunist Enver Hoxha e deri tek anëtarët më të thjeshtë të cilët guxuan dhe vranë shqiptarë të pafajshëm vetëm e vetëm se konsideroheshin armiq imagjinarë. Skenari pas vitit 1944 është disi i njohur për shqiptarët por krimet e luftës mbeten një sfidë e historiografisë shqiptare dhe nisur nga kjo, Enver Memishaj ka hedhur një hap me rëndësi.
Për më shumë, ky libër i vlen shoqërisë shqiptare për të parë veten në raport me krimet e së kaluarës. Mosdënimi apo tentativat për ti fshehur apo për t’i veshur ato me justifikime nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbajnë peng shqiptarët të gjejnë paqe më të kaluarën. Andaj, është e udhës që ky libër të lexohet, të reflektohet e më pas të dënohen këto krime për të nderuar kujtimin e viktimave por edhe për të qetësuar shpirtrat e familjarëve dhe pasardhësve të tyre që presin drejtësi.
Tiranë, më 10 maj 2021
*)Kryetar i Këshillit Shkencor të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit