Nuk mendohet për anulim tjetër të Regjistrimit të Popullatës në Maqedoninë e Veriut, që duhet të fillojë më 5 Shtator e të përfundojë në fund të këtij muaji, ka theksuar Kryeministri Zaev.

“Regjistrimi tashmë është dakorduar, me kërkesë të një pjesëmarrësi serioz në shoqërinë tonë, e kjo është partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE-ja. Toleranca është mirësi e partive në pushtet, në krye me LSDM-në, që e pranuan këtë dhe menjëherë e anuluam regjistrimin, i cili tani do të zbatohet nga 5 Shtatori“, ka deklaruar Kryeministri Zaev.

Ai ka thënë se të ardhurat për regjistruesit janë nga 25.000 deri në 45.000 denarë për 25 ditë anketime, duke bërë thirrje që qytetarët të paraqiten si regjistrues, veçanërisht në rajonet ku mungojnë regjistruesit.

Kryeministri Zaev ka theksuar se zbatimi i regjistrimit është obligim dhe nuk guxon sërish të mendohet për anulimin e operacionit.

“Jo vetëm se nuk duhet të mendojmë për anulimin e regjistrimit, por është obligimi ynë, detyra jonë. Të gjithë jemi bashkë në këtë punë. Ta zbatojmë regjistrimin, për shkak se është një operacion statistikor që i duhet tepër planeve të ekonomisë dhe sfidave që i kemi para nesh. Përfundimisht pas 20 viteve ta zbatojmë si operacion statistikor”, tha Kryeministri Zaev.